DURRËS, 28 nëntor 2014 –  Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës dhe më saktësisht sektori sportiv, i cili drejtohet nga Arian Plaku është gjithnjë aktiv me pjesëmarrjet e tij dhe përfaqësimet në evente sportivo- artistike.

Ndër më të fundit shënohen: “Kampionati i katërt i Spartakiadës së Kërcimit" i cili u zhvillua në Pallatin e Sportit "Asllan Rusi" në Tiranë, ku grupi përfaqësues i QKF-së u vlerësua me vendin e parë. Në këtë kampionat morën pjesë 34 grupe nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi. Vendin e dytë e zuri Fushë-Kruja dhe të tretin qyteti i Korçës.

Gjithashtu, Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës mori pjesë dhe në  Festivalin Mbarëkombëtar të zhvilluar nga Qendra Kombëtare Kulturore e Fëmijëve Tiranë. Midis 16 grupeve folklorike nga të gjitha trevat shqiptare, qyteti bregdetar i Durrësit u rendit i dyti. Këto aktivitete janë organizuar në kuadrin e "Festave të Nëntorit".

/g.b. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/