17 tetor 2015 – 10 qershorin e ardhshëm në Europian do të jetë dhe Shqipëria, dhe ëndrra më e madhe e cdo tifozi kuqezi tani është të ketë ndër duar një biletë të ndeshjeve të kuqezinjve në këtë kompeticion. Për këtë arsye, është e nevojshme të informoheni mbi rrugët dhe mundësitë që krijohen për pasjen e një bilete së tillë.Gjëja e parë që duhet bërë është të shkosh në faqen online të Uefa-s, në sesionin “Ticket” ose “Bileta” në shqip.
Për të zgjedhur skuadrën që do të ndjekësh në Europian, mjafton të klikosh mbi ikonën me flamurin më të bukur në botë, atë shqiptar. Faqja pasardhëse të informon që në fillim se për të blerë një biletë online në uefa.com duhet të plotësosh minimalisht një nga dy kushtet e mëposhtme, të jetosh në Shqipëri ose të kesh pasaportë shqiptare.
Më pas mund të vazhdosh me procedurën duke zgjedhur ndeshjen që kërkon të ndjekësh në stadium, duke plotesuar aplikimin online dhe në fund, nuk duhet harruar, që të theksosh faktin se në shkurt dëshiron të njoftohesh me email nëse ke fituar apo jo të drejtën e pajisjes me një biletë. Sipas rregullores një person nuk mund të blejë më shumë se katër bileta për ndeshje, por për ata që duan të shohin më shumë se një ndeshje ekziston dhe një paketë e vecantë që jua mundëson këtë, ndërkohë që ka dhe bileta të vecanta për personat me aftësi të kufizuara.
Për një herë që Shqipëria luan në Europian cmimi i biletave nuk është dhe aq i kripur duke qenë se bëhet fjalë për një fazë finale të Europianit. Nëse do të kemi fatin të luajmë ndeshjen hapëse me Francën, një biletë në bazë të kategorisë do t’ju kushtojë nga 75 euro më e lira në 595 euro bileta në tribunën vip, për ndeshjet e grupeve dhe 1/8 ato variojnë nga 25 euro deri në 145 euro, për cerekfinalet 45 euro deri në 195.
Për gjysmëfinalet dhe finalen ndërkohë, cmimet janë pak më të kripura sic i shihni dhe në tabelë. Për momentin, aplikimi nuk ka filluar ende, por për të mos humbur asnjë sekondë të vyer, është mirë që në kutinë e mëposhtme të shkruani adresën tuaj të email dhe Uefa.com do t’ju njoftoj sapo aplikimi për shorteun e biletave të jetë i disponueshëm.
/portali DurresLajm/