Bankat dhe ekspertët kudo në botë u tërhoqën nga parashikimet e fundvitit 2021 se çmimet do të stabilizoheshin në këtë 6-mujor. Tani në sfond janë rreziqe të reja për inflacionin. Për Shqipërinë, reduktimi i prodhimeve në serra, rritja e pritshme e çmimeve të energjisë dhe një konflikt i mundshëm Rusi-Ukrainë do t’i mbajë çmimet në nivele të larta. Në janar 2022, çmimet e shportës për 28 artikujt bazë të konsumit shënuan rritje vjetore me 20%. Rritet ndikimi i prodhimit bujqësor vendas në inflacion. Banka e Shqipërisë shtyn pritshmëritë për stabilizim të çmimeve në vitin 2023 dhe tregohet e rezervuar për rritjen e normës së interesit. 30% e popullsisë në vend rrezikon të shkojë në varfëri ekstreme.
Skënderi dhe Rovena, një çift me arsim të lartë, të punësuar në sektorin publik (me paga mesatare 50-60 mijë lekë në muaj secili) këtë fillimvit po shkurtojnë disa shpenzime për shkollimin e fëmijëve, në mënyrë që të përmbushin nevojat bazë të jetesës.
Rritja e çmimeve të ushqimeve dhe naftës, sidomos në janar, po merr të paktën 30% më shumë shpenzime se në janarin e kaluar. Së fundmi, ata morën vendim për të hequr nga kursi i gjuhës së huaj fëmijët dhe prishën kontratën e transportit për në shkollë.
“Këto kohë, pjesa më e madhe e pagave po shkon për ushqime. Nuk mund të bëjmë udhëtime fundjavave dhe as nuk mund të rezervojmë për pushimet e verës. Nuk po mbyllim dot muajin me këto çmime”, thotë Skënderi, një oficer në karrierë. Ai përfaqëson nivelin mesatar të një familje në Tiranë, që bashkë me gruan sigurojnë të ardhura mujore 11,000 lekë.
Njësoj si Skënderi dhe Rovena, familjet shqiptare po ndeshen me vështirësi për të përballuar faturat e larta nga rritja e çmimeve. Familjet me të ardhura të ulëta dhe me një familjar të punësuar dhe qira për të paguar rrezikojnë të bien në varfëri ekstreme.
Një shportë me 28 artikujt bazë të konsumit e përpiluar nga INSTAT, ku përfshihet edhe nafta, kushtoi këtë janar 20% më shtrenjtë se vitin e kaluar në këtë periudhë. Rritja e çmimeve po bëhet e qëndrueshme dhe pritet të jetë edhe më agresive në vijim, ndryshe nga parashikimet e vjeshtës së bankierëve në fund të vitit të shkuar.
Deri më tani, në tregun ushqimor të shitjeve me pakicë në Shqipëri është vënë re një rritje e çmimeve në masën 12-17%, – tha Elona Hameta, Drejtoreshë e Spar Albania, por: “Ne kemi arritur që ta mbajmë nën kontroll shtrenjtimin e çmimeve në vlerat 5-7%, duke përdorur forcën negociuese që ka rrjeti”.
I gjithë globi është përfshirë nga vala e çmimeve të larta, të cilat ishin harruar në shumë dekada. Në vendin tonë, rritja e përgjithshme e çmimeve në janar ishte 3.7% për të gjithë artikujt e konsumit – raportoi INSTAT, niveli më i lartë që nga 2011-a.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës u tronditën, pasi rritja e inflacionit në janar ishte 7,5%, një nivel i paparë që nga vitet 1980, ndërsa në Eurozonë, çmimet u rritën me 5.1%, niveli më i lartë ku treguesi nisi të matej për të gjithë BE-në më 1997.
Rritja e çmimeve, këtë herë, është komplekse, me origjinë si nga oferta dhe kërkesa. Pandemia e koronavirusit dëmtoi zinxhirët e furnizimit, rriti kostot e transportit dhe nga ana tjetër, u shfaq një kërkesë jo e zakontë për mallra të qëndrueshëm dhe ushqime, pasi popullata në të gjithë botën orientoi shpenzimet e udhëtimeve të munguara në konsum mallrash.
Monitoruesit e inflacionit kudo në botë po përgatiten për një normalitet të ri të çmimeve. Banka e Shqipërisë, në një shpjegim të posaçëm për “Monitor”, shpjegoi se, “për vitin 2022, ne presim që inflacioni të jetë mbi objektivin 3%, në pasqyrim të niveleve të larta të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Me normalizimin e tyre, ne presim reduktimin e inflacionit drejt objektivit, i cili parashikohet të arrihet brenda vitit 2023”. Më herët gjatë vjeshtës, BSH pati parashikuar se inflacioni do të kthehej në normalitet në 6-mujorin e dytë të këtij viti.
Në të gjithë botën, bankat po rishikojnë me rritje pritshmëritë për çmimet. Në fund të janarit, FMN deklaroi se nivelet e larta të çmimeve do të vazhdojnë. Tani FMN pret që inflacioni të jetë mesatarisht 3.9% në ekonomitë e zhvilluara dhe 5.9% në ekonomitë në zhvillim në vitin 2022, duke projektuar ulje vetëm vitin tjetër.
Por tregjet shqiptare, gjatë këtij viti, pritet të përballen me tre faktorë shtesë që do të çojnë në shtrenjtim të mëtejshëmm të çmimeve; E para, rritja e çmimeve të energjisë për biznesin; e dyta, reduktimi i prodhimit bujqësor, sidomos në serra nga kostot e larta dhe e treta, problemet e furnizimit me grurë që do të vinin nga një luftë e mundshme Rusi-Ukrainë.
Presionet nga prodhimet bujqësore rriten
Një kilogram kastravec po kushton aktualisht 300-350 lekë në njësitë e shitjes me pakicë, gati dyfishi i vlerës së vitit të kaluar prej 148 lekësh. Një kilogram spec gjithashtu shitet me 250-300 lekë, nga rreth 150 lekë që ishte vjet në këtë kohë.
Rritje jo të zakontë u pa edhe te disa prodhime të stinës së dimrit, si sallata jeshile, spinaqi, brokoli, të cilat po shiten mbi 200 lekë për kilogram, për shkak të dëmeve që krijuan ngricat e fundit. Por sektori i bujqësisë po sinjalizon çmime më të larta në vijim, për shkak se rritja e kostove të inputeve bujqësore ka reduktuar sipërfaqen e mbjellë në serra e për rrjedhojë, edhe prodhimin vendas.
Shoqatat e fermerëve në zonat më prodhuese në vend, Divjakë, Lushnjë, Fier dhe Berat kanë lajmëruar reduktim të sipërfaqeve të mbjella të paktën me 25%. Vështirësitë që u ndien vitin e kaluar, teksa eksporti i prodhimeve të serrave shënoi rënie, për herë të parë në vitin e kaluar.
Eksportuesi më i madh në vend, Doni Fruits, tha se eksportoi 15% më pak në janar 2022 dhe lajmëroi të njëjtin trend edhe për këtë vit.
Faktet e 20 viteve të fundit tregojnë se ecuria e përgjithshme e çmimeve në vendin tonë ka varësi të lartë nga grupi i prodhimeve bujqësore të freskëta si frutat, zarzavatet. Kjo tregohet qartë në grafikun bashkëngjitur. Rritja e përgjithshme e çmimeve shfaq qëndrueshmëri pa luhatje të forta, ndryshe nga çmimet në grupin e frutave dhe perimeve (vijat me ngjyrë gri dhe portokalli), të cilat kanë luhatje të forta të krijuara kryesisht nga problemet në prodhim.
P.sh., në vitin 2010, inflacioni u rrit mesatarisht mbi 3.6% në 6 muajt e parë, si rrjedhojë e rritjes së çmimeve të zarzavateve nga 40-50%.
Rritet pesha e frutave dhe zarzavateve në shportën e konsumit, arrin 9.3%
Në vitin 2020, shqiptarët harxhuan për blerjen e ushqimeve dhe pijeve 41,6% të shpenzimeve mujore. Në 20% të popullsisë që ka të ardhura të ulëta, ushqimet zënë mbi 50% të konsumit mujor sipas përllogaritjeve të INSTAT. Por brenda shportës së ushqimeve, pesha e disa produkteve ka ndryshuar.
Banka e Shqipërisë sqaroi për “Monitor” se, bazuar në publikimin më të fundit të INSTAT mbi shportën e përditësuar të konsumit familjar (janar 2022), rezulton se pesha e frutave dhe e zarzavateve në shportën e konsumit është 9.3%. Gjatë viteve 2020 – 2021, pesha e tyre ka ardhur në rritje, duke qëndruar rreth 1 pikë përqindje më lart se mesatarja e viteve të mëparshme.
Shqiptarët po shfaqin një tendencë më të theksuar për konsumin e frutave dhe perimeve, duke e bërë që pesha e tyre në totalin e shportës së konsumit të shkojë drejt 10%. Kjo peshë e lartë tregon varësinë që ka inflacioni nga prodhimet e vendit. Grafiku me të dhënat e INSTAT tregon se ecuria e inflacionit shkon në raport të drejtë me çmimet e frutave dhe perimeve. Por së fundi, përveç prodhimeve të fushës, presionet janë shtuar, se çmimet janë rritur për të gjitha mallrat.
Banka e Shqipërisë, duke arsyetuar për llogari të inflacionit, shpjegoi se në përgjithësi, çmimet e produkteve bujqësore shfaqin luhatshmëri të lartë, e cila ndikohet kryesisht nga faktorë të ofertës, si prodhimi, infrastruktura shpërndarëse dhe magazinuese, etj., ndërkohë që kërkesa për këto produkte është në përgjithësi e qëndrueshme.
Ekspertët e Bankës shpjeguan se, prodhimi bujqësor në vetvete përcaktohet, në njëfarë mase, nga faktorë të luhatshëm e të paparashikueshëm, si kushtet klimatike apo kushtet e tregut ndërkombëtar.
Vlerësimet tona tregojnë se volatiliteti i çmimeve bujqësore, kryesisht ai i çmimeve të frutave dhe perimeve, ka qenë veçanërisht i lartë në vitet e fundit, duke e bërë të vështirë parashikimin e tyre.
Sipas tyre, koniunktura aktuale ndërkombëtare, e karakterizuar nga rritja e kostove të inputeve, të transportit dhe të çmimeve të ushqimeve bazë sugjeron se artikujt ushqimorë do të vijojnë të jenë kontribuues i qenësishëm në inflacionin në vend në vitin 2022. Më tej, kontributi i tij pritet të vijë më pranë niveleve historike.
Çmimet e reja të energjisë, presione shtesë mbi inflacionin
Fabrikat e mëdha dhe njësitë e prodhimit të lidhura me rrjetin 435 kilovolt, që sigurojnë vetë furnizimin e energjisë në treg të lirë u përballën këtë vit me kosto të larta, si rrjedhojë e rritjes jo të zakontë të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Ndërkohë që Enti Rregullator pritet të vendosë shumë shpejt rritje të tarifave për bizneset që furnizohen nga Furnizuesi i Shërbimit Universal (OSHE), kostot do të rriten për të gjithë njësitë e prodhimit dhe shërbimeve në vend.
Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave, Gëzim Peshkëpia, tha se, çmimet e energjisë pritet të ushtrojnë presion edhe më tej me tarifat e reja, që pritet të miratohen nga Enti Rregullator i Energjisë. Edhe tani, furrat e bukës paguajnë një kilovator me mbi 18 lekë por, pritet që tarifat e reja të energjisë elektrike të jenë edhe më të larta.
Çmimi i energjisë krijon kosto në fabrikat e mëdha të miellit, të cilat furnizojnë me miell të gjitha njësitë e prodhimit të bukës. Parashikohet të ketë një transmetim zinxhir të çmimeve të miellit, tha ai.
Çmimet më të larta të energjisë dhe naftës dhe gazit po japin efekt negativ zinxhirit në të gjithë artikujt. P.sh. industria e tullave është përballur vitin e kaluar me rritje të vazhdueshme të kostove të prodhimit që, në raport me 2020, ishin 70% më të larta.
Përfaqësuesja e KID-Alb, Ilda Baraj, shprehet se situata e ka bërë prodhimin shqiptar më pak konkurrues në rajon dhe i ka vendosur këto biznese në kufijtë e mbijetesës. Në këtë kontekst, pavarësisht zhvillimeve pozitive që lidhen me sektorin e ndërtimit, apo programin e rindërtimit, znj. Baraj parashikon që edhe viti 2022 të jetë i vështirë për sektorin.
Shtrenjtimi i energjisë elektrike që ishte në treg të lirë vitin e kaluar ka krijuar një rritje zinxhir të çmimeve në të gjithë industrinë ushqimore. Roland Hysaj, nga Miell Tirana, pohoi se energjia elektrike i rriti në mënyrë të paprecedentë kostot vitin e kaluar, të cilat është e pamundur të mos i reflektosh në çmime.
Përpunuesit e qumështit, nga 1 korriku i vitit të kaluar, aplikuan çmime më të larta për produktet e tyre, për shkak të ndryshimit të çmimit të plastikës dhe shtrenjtimit të çmimit të energjisë.
Saimir Begaj, nga kompania “Erzeni”, tha se çmimet energjisë janë bërë të papërballueshme dhe detyrimisht do të reflektohen në produktin final. Nga 13 lekë vitin e kaluar, ato janë aktualisht në mbi 18 lekë për kilovat orë. Kostot në disa fabrika që kanë lëndë të parë energjinë janë rritur më shpesh deri në 50%.
Konflikti Rusi-Ukrainë, rrezik i ri për inflacionin
Por zotin Peshkëpia, i cili drejton Shoqatën e Prodhuesve të Bukës, më e rrezikshme nga të gjitha për sektorin shihet një luftë e mundshme ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. Sipas tij, këto vende dominojnë furnizimin me grurë dhe drithëra, ndaj një bllokim qoftë edhe i përkohshëm i importeve nga këto vende, do të sillte dramë në tregun vendas.
Vitin e kaluar, Shqipëria importoi 326 mijë tonë drithëra, por 49% e tyre ishin nga Rusia dhe Ukraina. Në tregun tonë dominon Rusia me rreth 45% të totalit të importeve.
Rusia është furnizuesi kryesor i Europës me drithëra, ndaj nëse fillojnë sanksionet e dyanshme, pasojat do të ishin të rënda për Shqipërinë. Vendi ynë ka një konsum të lartë të brumërave për frymë, sidomos bukës. Konflikti Rusi – Ukrainë dhe rritja e pritshme e çmimeve të energjisë mbeten për t’u kalkuluar në vijim të këtij viti, tha zoti Pëshkëpia.
Efektet e “dhunshme” të inflacionit
Rritja e çmimeve, në të gjitha kohërat, ka treguar për efekte gati të njëjta me luftërat dhe pandemitë. Çmimet e larta shndërrohen në grabitqarë të shpejtë që u marrin para të gjithëve, por sidomos shtresave të varfra.
Sipas përllogaritjeve të fundit të Bankës Botërore, Shqipëria ka 30% të popullsisë në varfëri relative që jeton me 5 USD në ditë, niveli më i lartë në rajon (2021).
Gati 30% e të punësuarve me pagë që deklarohen në Tatime kanë të ardhura 30 mijë lekë në muaj. Shqipëria kishte produktivitetin më të ulët të punës në rajon gjatë 2014-2020, po sipas Bankës Botërore. Çmimet e larta do të rendojnë më tej kostot e jetesës sidomos për atë pjesë të popullsisë që ka të ardhura të ulëta.
Fondi Monetar Ndërkombëtar, në rishikimin e fundit që i bëri ekonomisë sonë, rekomandoi që fondet publike të orientohen si mbështetje për shtresat në nevojë, në vend të kontratave koncesionare pa fizibilitet dhe projekteve të mëdha të infrastrukturës.
Çështjet e zinxhirit të furnizimit, të shoqëruara me kërkesën në rritje, vazhdojnë të fryjnë çmimin e karburantit, ushqimeve dhe shërbimeve të tjera të domosdoshme të tjera. Spiralja e çmimeve mund të cenojë, veç të tjerash, edhe sigurinë ushqimore, pasi shumë kompani për të mbajtur kostot nën kontroll, kanë nisur të spekulojnë me cilësinë dhe sasinë.
Frenimi i inflacionit, Bankat të rezervuara për normat e interesit
Banka e Shqipërisë i ka rishikuar me rritje pritshmëritë e inflacionit për vitin 2022, por do të tregohet e matur për të rikthyer normat e interesit drejt rritjes.
Rritja e çmimeve erdhi në një kohë kur borxhet publike të qeverive kudo në botë njohën rritje të paprecedentë. Rritja e normave të interesit po vjen si thikë me dy presa. Normat më të larta të interesit do të mund të frenojnë çmimet, por qeveritë do të vihen në vështirësi për të shlyer borxhet.
Për shkak të dinamikave, Bankat Qendrore po qëndrojnë vigjilente. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerësoi javën e kaluar se, qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për mbështetjen e ekonomisë dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2023.
Për këtë arsye, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të lërë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%. Por Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se, nëse materializohen skenarët e rrezikut, do të kërkohet rishikimi i qëndrimit të politikës monetare.
Departamenti i Politikës Monetare sqaroi për “Monitor” se, për vitin 2022, inflacioni do të jetë mbi objektivin 3%, në pasqyrim të niveleve të larta të çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe normalizim drejt objektivit brenda vitit 2023.
“Përditësimi i analizës me informacionin e ri lë të pandryshuar gjykimin tonë mbi faktorët të cilët po ndikojnë inflacionin, por ai evidenton se goditjet e ofertës po provohen të jenë më të forta dhe më të qëndrueshme se vlerësimet fillestare” – sqaruan ekspertët e Bankës Gjithashtu, rritja e inflacionit, sidomos prej muajve të fundit të vitit 2021, po ndikohet edhe nga faktorë tranzitorë të lidhur me rritjen e çmimeve energjetike dhe të ushqimeve në tregjet ndërkombëtare.
Rezerva Federale ka lajmëruar rishikimin e normave me perspektivë rritje në mars, ndërsa Banka Qendrore Europiane tha se do të reagojë në varësi të qëndrueshmërisë së çmimeve sipas horizonteve të parashikimit. Gjithsesi, bankierët dhe tregjet po përballen me një situatë që kishte munguar për dekada. Pandemia ka rritur profilet e rrezikut dhe parashikimet për ecurinë e çmimeve janë bërë të mjegullta.
MONITOR