Sekretari i Komunitetit të Energjisë vlerësoi së fundmi ekspozimin e vendeve që janë pjesë e tij ndaj çmimeve të larta të energjisë në bursa si dhe masat që janë marrë për të zbutur këtë efekt nga ana e qeverive.
Në publikimin e fundit të tij Sekretariati ndalet në disa prej aspekteve që e bëjnë vendin tonë të jetë i cenueshëm në raste krizash energjie duke nënvizuar varësinë e lartë ndaj energjisë së prodhuar nga burimet hidrike.
“Shqipëria ka një ekspozim të lartë ndaj burimeve hidro dhe për shkak të kushteve atmosferike (përkatësisht, vera dhe vjeshta e thatë) po importon sasi të konsiderueshme të energjisë elektrike me çmime të larta. Shqipëria është përgjithësisht një vend importues neto, por në kushte të favorshme hidrologjike eksportet e vendit janë të larta gjatë stinës së pranverës” nënvizohet në dokument.
I njëjti vlerëson se segmenti i furnizimit universal të tregut përfiton nga detyrimi i shërbimit publik të gjeneruesit publik, KESH, çmimet e të cilit bazohen në kosto, pra nuk ndikohet drejtpërdrejt nga çmimet globale dhe rajonale, por nga kushtet e motit.
“Prodhimi nga KESH nuk mjafton për të mbuluar kërkesën nga segmenti i furnizimit universal prandaj furnizuesi universal do të duhet të prokurojë një pjesë të portofolit të saj në treg që vjen kryesisht nga importi. Kjo ekspozon furnizuesin universal ndaj rrezikut të çmimit dhe mungesës së të ardhurave” thuhet në raport.
Teksa nga janari 2022 në tregun e lirë të energjisë do të dalin edhe 7358 biznese të tjerë të lidhur ne tension 20,10 dhe 6 kv si vazhdim i reformës së liberalizimit, Sekretariati konstaton se bizneset që tashmë janë në këtë treg si efekt i fazës së parë janë duke blerë me çmim të lartë dhe aktiviteti i tyre po ndikohet nga këto çmime.
“Konsumatorët industrialë dhe konsumatorët e tjerë që furnizohen në tregun e lirë janë duke blerë me çmimin e tregut rajonal, prandaj bizneset e tyre ndikohen drejtpërdrejt nga rritja e ndjeshme e çmimeve” thuhet në raport.
Sa i takon masave të marrë ky institucion vlerëson se Shqipëria ishte ndër të paktat vende që deklaroi emergjencën e furnizimit me energji përveç Maqedonisë së Veriut dhe Moldavisë duke dhënë kështu mbështetje direkte financiare ndaj kompanive publike dhe konsumatorëve.
“Me Vendimin nr. 584, datë 8 tetor 2021, Qeveria e Shqipërisë shpalli gjendjen e emergjencës në furnizim me energji efektive deri më 15 prill 2022, ndjekur nga një akt i detyrimit të shërbim publik që i jep gjithë energjinë e prodhuar nga KESH furnizuesit universal. Në bazë të këtij akti, tepricat e KESH-it do të magazinohen nëpërmjet një marrëveshje tregtare dhe përdoret nga furnizuesi universal. Qeveria njoftoi edhe 100 milionë euro për vitin 2021, në formën e garancisë sovrane për Grupin OSHEE për të garantuar importin e energjisë elektrike me çmime të larta, duke përfshirë edhe 100 milionë euro të tjera për tremujorin e parë 2022.
Deri tani nuk janë ndërmarrë masa specifike nga rregullatori ERE, megjithatë rregullatori po monitoron tregun dhe po vlerëson ndikimin e mundshëm mbi tarifat.
Operatorit të sistemit të transmetimit dhe shpërndarjes i është kërkuar në bazë të Vendimit të qeverisë që të rishikojnë planet e tyre të investimit duke i shtyrë ato që nuk janë urgjente” nënvizon raporti i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë./Monitor