Indeksi i çmimeve të importeve shënoi një rritje me 0,2%, një vit më parë ky ndryshim ishte 10,7%.
Ndryshimi tremujor i indeksit të çmimeve të importit në tremujorin e dytë 2023, krahasuar me tremujorin e parë 2023 shënoi një ulje me 0,7%.
Të dhënat e sotshme të INSTAT tregojnë se çmimet e importit të produkteve në seksionin “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” kanë shënuar rritje me 4,7%, pasuar nga seksioni “Industri nxjerrëse” me 0,4% rritje vjetore në tremujorin e dytë të 2023.
Çmimet në seksionin “Industria përpunuese” me peshën më të madhe prej 90,6% shënuan një rritje prej 0,2 %. Brenda këtij seksioni rritja më e madhe e çmimeve vërehet në produktet e aktivitetit “Përpunimi i produkteve dhe preparateve farmaceutikë” me 5,3%, pasuar nga “Konfeksionimi i veshjeve” me 3,1%, “Shtypshkrimi dhe rigrupimi i mediave të regjistruara” me 2,9%, “Prodhimi i pijeve” me 1,9%, “Përpunimi i tekstileve” me 1,8%, “Përpunimi i produkteve ushqimore” me 1,5%, “Prodhimi i produkteve minerale jo metalike” dhe “Prodhimi i pajisjeve elektrike” me 1,0% secili, etj.
Çmimet në seksionin “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri kondicionuar” shënuan një ulje prej 0,2%, krahasuar me një vit më parë.
Krahasuar me tremujorin e parë 2023, çmimet në seksionin “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri kondicionuar” shënuan një ulje prej 4,1%, pasuar nga seksionet “Industri nxjerrëse” me 0,8%, “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” me 0,7% dhe “Industria përpunuese” me 0,4%.
Brenda seksionit “Industria përpunuese” ulja më e madhe e çmimeve vërehet në produktet e aktivitetit “Prodhimi i produkteve të duhanit” me 2,9%, pasuar nga “Prodhimi i produkteve optikë, elektronikë, kompjuterikë” me 2,1%, “Prodhimi i lëkurës dhe produkteve prej lëkure” me 1,4%, etj.
Indeksi i Çmimeve të importit mat ecurinë e çmimeve të transaksioneve të produkteve industriale të importuara për tu shitur në tregun vendas.
Banka e Shqipërisë me herët ka raportuar se mbiçmimi i këmbimit të lekut ndaj euros ka ulur presionin për rritjen e çmimeve të importit. Por në tregjet e pakicës për disa produkte çmimet në tregjet ndërkombëtare ishin me ulje, por në tregun vendas ulja nuk është reflektuar ë të njëjtën masë./ MONITOR