Tiranë, 26 gusht 2014 – Pagesa e truallit për familjet që kanë ndërtuar në tokë shtet dhe tokë me pronarë, do të përcaktohet duke u bazuar në ndryshimet e miratuara në ligjin e ri të legalizimit.

Duke iu referuar vendimit të qeverisë, parcela ndërtimore për të cilën do të bëhet kalimi i pronësisë, do të llogaritet me gjysmën e vlerës së tregut, por jo më shumë se 2000 lekë/m2 për zonat urbane dhe jo më shumë se 1500 lekë/m2 për komunat. Ndërsa për zonat ku çmimi i tokës është shumë i ulët, është përcaktuar çmimi dysheme 500 lekë/m2 për bashkitë dhe 400 lekë/m2 për komunat.

Në vendimin e qeverisë thuhet se 50% e faturës do të mund të paguhet me letra me vlerë dhe, për pagesat e menjëhershme, pra brenda 45 ditësh nga tërheqja e faturës, do të aplikohet një tjetër zbritje me 20%. Si normë qytetarie, për shlyerjen në mënyrë të rregullt të faturës së energjisë elektrike, familjes gjatë momentit të kryerjes së pagesës do t’i zbriten edhe 10% të tjera nga shuma e faturuar deri në atë moment, pas aplikimit të reduktimeve të mësipërme. Kjo zbritje do të shënohet në hipotekë, dhe nëse familja pas dy vitesh dëshmon se ka paguar rregullisht dritat, atëherë ky 10% do të falet dhe shënimi hipotekor do të hiqet.

Aktualisht në Agjencinë e Legalizimeve kanë nisur procedurat e para për përllogaritjen dhe prerjen e faturës. Ndërkohë, mësohet se nga grupet e punës në terren kanë përfunduar verifikimet dhe matjet për më shumë se 31 mijë familje. Sipas Lames, hapi i radhës për këto familje te të cilat është përditësuar informacioni në terren, do jetë ai për kualifikimin e objekteve dhe prerjen e faturës. Pas përllogaritjes së vlerës së faturuar për parcelën ndërtimore, familjet do të njoftohen për tërheqjen e faturës. Kjo vlen për kategoritë e ndërtimeve në tokë shtet dhe tokë me pronarë, pasi ata që kanë ndërtuar në tokën e tyre, janë të zhveshur nga të gjitha detyrimet. Për 67 mijë familje që janë në tokë që është në pronësi të tyre, procedurat e legalizimit janë më të thjeshtuara dhe pajisja me leje bëhet brenda një kohe më të shkurtër.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/