10shtator 2015 – Jo vetëm turizëm kulturor, por italianët po zhvillojnë në masë turizmin shëndetësor me Shqipërinë. Për shkak të çmimeve më të ulëta dhe shërbimit të ngjashëm me atë në Itali, qytetarët e shtetit fqinj fluturojnë drejt Tiranës për t’u nënshtruar ndërhyrjeve. Më së shumti, zgjedhjet janë për klinikat dentare. Gazetari i emisionit të Rai 1, “A conti fatti”, udhëtoi në Tiranë, ku mori kontakt me stomatologët e kryeqytetit tonë dhe shtetas italianë. Pasi gjeti në internet të dhënat mbi klinikat dentare, ai udhëtoi drejt Tiranës.

Një prej dentistëve që ka klinikën e tij tregon se janë deri në 15-20 italianë në muaj që vijnë në Tiranë për të kuruar dhëmbët. Rasim Vrioni, stomatologu i klinikës “Vrioni”, thotë se italianët e preferojnë Tiranën për shumë arsye. “E para sepse Shqipëria është si një Itali e vogël për ta. E dyta çmimet janë më të ulëta se në Itali apo vendet e tjera ngjitur”, thotë Vrioni. Stomatologu shpjegon se çmimet për shqiptarët janë të larta, ndërsa për italianët janë të ulëta në krahasim me vendin e tyre, për shkak se taksat atje janë më të lartë. “Cilësia është e njëjtë, pasi përdorim materiale gjermane e zvicerane”, tregon titullari i klinikës.

Një i ri italian ndodhet në klinikë. Ai ka ardhur nga Bolonja, pasi ka gjetur e kontaktuar fillimisht me përfaqësuesit e klinikës “Vrioni”. “U lidha me internet. Ata flasin italisht, jo vetëm në klinikë, por edhe shqiptarët në përgjithësi. Më morën në aeroport, më gjetën një vend për të qëndruar dhe po realizoj shërbimin këtu. Çmimi është disa herë më i lirë dhe më leverdis”, thotë ai.

Po sa janë çmimet në Shqipëri e sa në Itali

Një pastrim dhëmbësh:

Në Shqipëri -30 euro

Në Itali -80 euro

Një transplant dhëmbi:

Në Shqipëri- 300-550 euro

Në Itali-800 euro

/portali DurresLajm/