Pushuesit besnikë për mëse dy dekada të bregdetit të Durrësit, nuk kanë qenë aq të shumtë në numër si sezonet e kaluara turistike.
Bëhet fjalë për shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, të cilët rregullisht kanë pushuar në bregdetin durrsak.
Fakti pohohet jo vetëm nga operatorët turistikë, por edhe nga shqiptarët përtej kufirit amë. Arsyet janë të ndryshme, por rritja e çmimeve duket se është një shkaqet kryesore siç deklarojnë shumë prej tyre për mikrofonin e “DurrësLajm”.
I reklamuar në thuajse të gjitha mediat prestigjioze si një vend i virgjër, ku mund të pushosh me pak shpenzime, Shqipëria ka qenë si magnet për të huajt vitet e fundit. Por rritja e çmimeve 5-10% përsa i përket shërbimeve, hotelerisë, por edhe produkteve ushqimore të shportës e ka bërë vendin tonë më të shtrenjtë për popullsinë vendase dhe turistët besnikë të vijës bregdetare.
Për të huajt, kryesisht nga Evropa Lindore, Durrësi dhe Shqipëria mbeten një alternativë e mirë për pushime low cost.
“Çmimet janë mjaft të mira. Një paketë turistike për në Egjipt në vendin tonë kushton 2000 euro për person, ndërsa në Shqipëri është 1500 euro për dy persona”.
“Më pëlqen shumë plazhi dhe hoteli ku po rri. Në vendin tim, Çeki, kam dëgjuar se vendi juaj ka klimë të mirë, njerëz mikpritës dhe çmime të ulta”.
“Vijmë nga Hungaria, por me origjinë jemi ukrainas. Vijmë për herë të parë këtu. Dëgjuam nga një miku ynë fjalë shumë të mirë për vendin tuaj dhe vendosëm të vijmë. Keni çmime të lira dhe ushqim mjaft të mirë”.
Në fundjavë, operatorët turistikë pohuan për “DurrësLajm”, se ky sezon nuk ka qenë brenda pritshmërive në muajin korrik, për shkak të mungesës së shqiptarëve të diasporës dhe emigrantëve.
M.B.





