Ndërsa me fillimin e krizës së çmimeve në pjesën e parë të vitit 2022, Shqipëria veçhej si një nga shtetet me rritjen më të ulët të çmimeve në Europë, tashmë situata ka ndryshuar tërësisht.
Të dhënat e INSTAT për indeksin e harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, – i cili përdoret për monitorimin e lëvizjes së çmimeve me pakicë në vendet Evropiane, duke krahasuar përqindjen e inflacionit ndërmjet vendeve të Evropës dhe si inflacion zyrtar i Bankës Qendrore Evropiane- tregojnë se çmimet në Shqipëri u rritën më shpejt në dhjetor se në BE.
Ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Dhjetor 2023 është 4,5%. Ndërsa mesatarja e rritjes së çmimeve në bashkimin Europian po për dhjetorin ishte 3.4%, ose 1.1 pikë përqindje më pak se në Shqipëri.
Shqipëria u rendit e 11-a më e shtrenjta në Europë për rritjen e çmimeve, ndërsa një vit më parë ishte ndër pesë vendet me rritjen më të ulët të çmimeve.
Kjo tendencë lidhet me ndikimin e energjisë, që rriti ndjeshëm inflacionin ën vendet e Bashkimit Europian në pjesën e parë të vitit 2022, ndërsa në Shqipëri energjia nuk u rrit. Ndërsa muajt e fundit, inflacioni në Shqipëri po ndikohet nga ushqimet, që i rëndojnë më shumë familjet shqiptare për shkak të peshës së lartë në totalin e shpenzimeve, me 41% të totalit, nga 13% që është mesatarja europiane.
Ndërkohë, rritja e çmimeve, sipas indeksit të harmonizuar është më e lartë në krahasim me matjen standarde të INSTAT, sipas të cilit indeksi i çmimeve të konsumit ishte 4% në dhjetor. Diferenca lidhet me peshën më të lartë të ushqimeve.
Sipas INSTAT, për indeksin e harmonizuar. Rritja më e madhe e çmimeve prej 7,6% vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 6,7%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 4,3%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Shërbimi arsimor” me 4,2% secili, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,8%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 3,7%, “Veshje dhe këpucë” me 2,9%, “Shëndeti” me 1,3%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,1% dhe “Komunikimi” me 0,3%. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 2,2%.
Në muajin Dhjetor, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,4%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,2%, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,1%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,6%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,5%, “Veshje dhe këpucë” me 0,4%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Shëndeti” me 0,2% secili, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,1%. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 1,4%, pasuar nga grupi “Argëtim dhe kulturë” me 0,1%.
Monitor