Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) njoftoi këtë të mërkurë se tashmë sistemi që mundëson daljen e bizneseve në tregun e lirë në vijim të liberalizmit është gati. Më herët kompania bëri me dije se janë 7358 biznese që do të detyrohen që nga janari 2022 të blejnë vetë energjinë në tregun e lirë përmes kontratave me furnizues privat. Nëse këto subjekte nuk arrijnë të lidhin një kontratë me një furnizues privat atëherë këtë energji do ta sigurojë Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF) pjesë e shpërndarjes por me çmimin e tregut.
“Në zbatim të ligjit Nr.43/2015 “Për Sektorin e Energjisë Elektrike” i ndryshuar, Neni 86, pika 6, dhe 109 të tij; Urdhrit Nr. 28, datë 18.01.2021 “Për miratimin e udhërrëfyesit për hapjen e tregut dhe de rregullimin e çmimit të energjisë elektrike”, të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ju njoftojmë për plotësimin e kushteve teknike të instalimit të sistemit të matjes për daljen në treg të liberalizuar nga data 1 janar 2022.
Ju keni mundësi të furnizoheni nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit dhe jeni të detyruar të lidhni një kontratë furnizimi me një furnizues të ri, të licencuar që ushtron aktivitetin e tij në tregun e liberalizuar, brenda 2 viteve nga fillimi i kontratës së furnizimit nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit.
Në përfundim të kësaj periudhe, në rast se ju, nuk keni arritur të lidhni një kontratë furnizimi me furnizues alternativ, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes në zbatim të ligjit, do të procedojë me ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike. Afati 2 (dy) vjeçar përfundon në 1 janar 2024, dhe për të evituar situata që mund të dëmtojnë ushtrimin e aktivitetit Tuaj, jeni të lutur të merrni masa për sa më sipër” sqaroi OSHEE.
Kompania ka bërë publike edhe listën përkatëse të bizneseve që do të dalin në treg të lirë ku secili sipas rajoneve mund të identifikohet me numrin e kontratës që ka si dhe me numrin e matësit. Bizneset që dalin në treg të lirë janë ata të lidhur në tension 20kv,10kv dhe 6 kv.
Çmimet në tregun e lirë në nivele rekord
Momenti në të cilin do të dalin në treg të lirë të paktën 7358biznese është ndoshta më i pafavorshmi për ta për shkak se një kilovat energjie po shitet me 25 lekë ku për disa kategori është një shifër më shumë se dy herë në raport me atë që paguajnë. Aktualisht bizneset e lidhur në 20 kilovolt paguajnë 1 kwh energji 11 lekë ndërsa në pik 12.65 lekë po kaq paguajnë edhe ata të lidhur në tension 10/6 kv.
Ky është një nga vitet më problematikë sa i takon sigurimit të energjisë pasi çmimet në bursa arritën mbi 330 euro/Mwh. Bizneset e lidhur në tension 35 kv të cilët po e sigurojnë të vetëm energjinë prej disa vitesh shprehën shqetësimin se nga 10 lekë/kwh që kishin më parë kontratat për vazhdimin furnizuesit u kanë ofruar çmime mes 20-25 lekë/kwh.
Situata me çmimet pritet të mbetet problematike për të paktën dy vite sipas njohësve të tregut dhe kjo do të thotë që kostot e energjisë do të jenë të larta për bizneset që do ta sigurojnë të vetme atë. Ndikimi i kësaj rritjeje do të reflektohet tek produktet finale të tyre e për rrjedhojë do të transferohet tek konsumatori final. /Monitor