Subjektet e lidhura në 35 kilovolt, që furnizohen nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, do të kenë të përfshirë në koston e energjisë finale edhe zërin e disbalancave.
Enti Rregullator i Energjisë, në vendimin e fundit që i takonte çmimit të muajit gusht, nënvizon se FSHU përmes një shkrese bënte të ditur se teknikisht e kishte të pamundur përfshirjen e kësaj kostoje si zë më vete. Ndaj kjo kosto do të përfshihej tek zëri për koston e blerjes së energjisë.
“FSHU sh.a. me shkresën nr. 5622/2 prot., datë 07.09.2023, protokolluar me tonën nr. 2002/4 prot., datë 11.09.2023, bëri me dije ndër të tjera se:
“…Sipas Ligjit 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike” i ndryshuar (Neni 81), si dhe Rregullave të Tregut te Balancimit dhe akteve të tjera në fuqi, Furnizuesi është përgjegjës përballë Operatorit të Sistemit të Transmetimit për çdo disbalancë të shkaktuar, kurse klientët janë përgjegjës përballë furnizuesit për disbalancat e shkaktuara.
Nisur nga fakti që FMF e ka aktualisht teknikisht të pamundur për t’i përfshirë si zë më vete në faturën e energjisë elektrike kostot e disbalancave, pasi ky proces kërkon një modifikim të faturës aktuale të energjisë, këto kosto i shtohen çmimit të miratuar nga ERE për këtë kategori klientësh, dhe reflektohen ne faturë në zërin çmim i energjisë elektrike…FSHU sh.a. në rolin e FMF nëpërmjet aplikimeve të kryera, ka si qëllim informimin e Entit Rregullator të Energjisë, mbi përfshirjen në faturën e energjisë për këta klientë” thuhet në dokument.
Në vendimin e bërë publik enti sqaron se “në kërkesën për miratimin e çmimit FMF për muajin gusht evidentohet se shoqëria është shprehur si vijon: ‘Duke qenë se sipas nenit 8 të “Metodologjisë së përcaktimit të çmimit të shitjes së energjisë elektrike nga Furnizuesi i Mundësisë se Fundit ‘miratuar me vendimin nr.201 datë 04.12.2017 të Bordit të ERE-s i ndryshuar, në çmimin e përllogaritur nuk parashikohen kostot e disbalancave kërkojmë reflektimin e kësaj kostoje në çmimin e muajit Gusht 2023”.
Duke marrë parasysh këto kërkesa Enti ka nënvizuar se në respekt të ligjit Furnizuesi i Mundësisë së fundit duhet që të informojë klientët në faturën e konsumit të energjisë elektrike mbi çdo element përbërës të çmimit si dhe kostot përkatëse.
Kjo nënkupton se FMF duhet të bëjë të ditur se tashmë kostoja e disbalancave duhet t’ju njoftohet bizneseve si pjesë përbërëse e çmimit total që kalon çdo muaj për miratim në ERE.
Në fund, Enti ka miratuar çmimin prej 15.8 lekë/MWh për subjektet e lidhur në tension 35 kv duke analizuar se zërat që përbëjnë atë janë kostoja e blerjes së energjisë kostot administrative, tarifa e shërbimit të rrjetit të transmetimit, tarifa e shërbimit të rrjetit të shpërndarjes, si dhe kursi i këmbimit i përdorur për blerjen e energjisë elektrike në treg të parregulluar.