Deputeti më i ri socialist, jo për nga mosha dhe as për nga fama, por nga koha që zotëron një mandat të tillë, është irrituar nga çmimi i lartë i karburanteve në vend dhe pyet se kush mban përgjegjësi për këtë realitet. Deputeti Eduart Ndocaj e ka bërë këtë gjë përmes një postimi në profilin e tij në Facebook.
Me sa duket, ai kishte qenë në Malin e Zi dhe, para se të hynte në tokën mëmë, ka fotografuar veten dhe tabelën e një pike karburanti atje, ku duken qartë çmimet shumë më të ulëta se sa në vendin tonë.
“Shqipëria me çmimin më të lartë të naftës e benzinës në rajon dhe në Europë. Kush do e marrë përsipër këtë padrejtësi? – shkruan deputeti Ndocaj. – Kjo është pika e karburantit e fundit e Malit të Zi në kufi me Republikën e Shqipërisë. Siç e shikoni edhe në foto, çmimi është dy herë më i lirë se çmimi i naftës dhe benzinës në Shqipëri… A ka mundësi dikush të ma shpjegojë këtë paradoks dhe këtë absurditet që ndikon në mënyrë të padrejtë në xhepat e shqiptarëve.”