Në fillim të këtij viti qeveria lajmëroi shtetëzimin e prodhimit të pasaportave dhe dokumenteve të identifikimit nga kompania franceze Aleat.

Ish-ministri Brendshëm Bledi Çuçi gjatë prezantimit të nismës deklaroi se letërnjoftimet biometrike do të prodhoheshin nga kompania shtetërore IdentiTek, ndërsa sqaroi se me kalimin e këtij shërbimi nga privati te shteti, do të ketë edhe mundësi për rishikimin e çmimit të tyre.

“Politikisht kemi vullnetin për të riparë çmimin në mënyrë që ta ulim atë”, theksoi Çuçi.

Një javë më parë, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj dhe ministri i ri i Rendit, Taulant Balla, firmosën udhëzimin, që përcakton tarifat e reja për pajisjen e qytetarëve me dokumente biometrike. Sipas tabelës së udhëzimit, tarifa për kartat e identitetit mbetet e pandryshuar në 1500 lekë. Po ashtu e pandryshuar mbetet edhe tarifa e pajisjes me pasaportë, 7500 lekë për aplikimin standard dhe 18 mijë lekë për aplikimin e shpejtë.