Monika Kryemadhi ka përgëzuar sot qëndrimin e këshilltarëve të LSI-së, për sa i përket qëndrimit që ata mbajtën në lidhje me rritjen e çmimit të ujit që u diskutua në dëgjesën e sotme në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Nëpërmjet një postimi në faqen e saj zyrtare në facebook, kryetarja e LSI-së tha se Shqipëria, sipas saj, sot ka nevojë për një opozitë që lufton dhe përpiqet për qytetarët dhe jo për partitë politike.
Postimi i plotë i Kryemadhit:
Përgëzoj sot për kurajon dhe vendosmërinë grupin e këshilltarëve të LSI-së në Bashkinë e Tiranës.
Më shumë se çdo aksion politik, sot është e rëndësishme të ravijëzohet një opozitë e vërtetë dhe konstruktive, pa kompromise dhe interesa të mëdha a të vogla. Shqipëria sot ka nevojë për një opozitë që lufton dhe përpiqet për qytetarët dhe jo për partitë politike. Këshilltarët e LSI-së treguan sot se më shumë se kartoni dhe karriget në këshill ka rëndësi shërbimi ndaj qytetarëve, se më shumë se opinioni i grupeve të ngushta të interesit është parësor shërbimi ndaj qytetarëve. Ky është dhe do të mbetet qëndrimi ynë!






