Nga Pirro Prifti

DURRËS, 13 tetor 2014–  Shumë shqiptarë shprehën keqardhjen që për të disatën herë që shkrimtari ynë i njohur Ismail Kadare nuk arriti të fitojë edhe kësaj here çmimin Nobel për Letërsinë. Sidoqoftë kjo gjë nuk është fundi i botës. I. Kadare njihet për talentin e tij letrar që herët, pasi ai mbaroi shkollën e lartë në Moskë dhe njëra nga veprat e tij të hershme, një dashuri e rinisë, u bë objekt diskutimesh në media, por edhe qejf mbetje midis tij dhe Nasho Jorgaqit. Po të vihet re, jo rastësisht herë pas here në shtyp dhe në median televizive shkruhen ngjarje dhe debate për veprën e Kadaresë, duke u përpjekur të mbajnë gjallë trashëgiminë e tij, madje ndonjë tv privat edhe e ka realizuar në formë anketimi nëse fiton apo jo Kadare çmimin Nobel ose jo.   Dëshira e madhe e inteligjencies shqiptare si e asaj brenda vendit ashtu edhe në Kosovë, e në shqiptarët e Maqedonisë është që çmimin Nobel ta marrë një shqiptar dhe çmimi Nobel më i afërt për shqiptarët është ai për letërsinë duke qenë se çmimet e tjera Nobel janë të vështira për t’u arritur qoftë për shkak të specifitetit dhe mos pasjes së profesionistëve të përshtatshëm shqiptarë për ti përmbushur këto kritere.    Dy shqiptarë (me origjinë shqiptare) nga diaspora kanë marrë çmimin Nobel:   Me datë 19 Nëntor 1979 në Oslo të Norvegjisë çmimin Nobel për Paqe e mori humanistja jonë e famshme Nënë Tereza (26 gusht 1910 – 5 shtator 1997).  Dhe çmimin e dytë Nobel për Fiziologji dhe Mjekësi e ka marrë edhe një shqiptar tjetër po me origjinë shqiptare por që jeton në SHBA, Ferid Murad (14 shtator 1936). Një çmim të tretë për letërsinë kërkohet prej disa kohësh pas rënies së komunizmit, pra në kohën e demokracisë e kërkon shkrimtari Ismail Kadare dhe këto katër vjetët e fundit ka qenë në listën e pritjes për ta fituar atë. Sidoqoftë, ky çmim për letërsinë mbetet larg për Kadarenë, pavarësisht disa çmimeve të tjera ndërkombëtare. Pak hollësi për këtë çmim letrar po i jap më poshtë.   Çmimi Nobel për letërsinë për vitin 2014 e fitoi 69 vjeçari francez Patrick Modiano, dhe i 16 për Francën në Letërsi. Janë ndarë 101 çmime Nobel për Letërsinë që nga viti 2001 e deri më 2014. Ismail Kadare për katër vitet e fundit ka qenë pretendent për këtë çmim por ky çmim është fituar nga të tjerët me motivacione të qarta për humanizëm, dashurinë për fëmijët, dashurinë për jetën, luftën kundër persekutimit dhe luftën kundër racizmit:   Viti 2009 – Herta Myller 1953 Gjermani Viti 2010 – Mario Vargas Llosa 1936 Peru Viti 2011 – Tomas Trantromer 1931 Suedi Viti 2012 – Mo Yan 1955 Kina (version kinez i Franc Kafkas) Viti 2013 – Alice Munro 1931 Kanada Viti 2014 – Patrick Modiano 1945 Franca   Medalja e Akademisë së Suedisë për çmimin Nobel për Letërsinë është një Medalion që paraqet një djalë që rri ulur nën një dru dafine, që i dëgjon dhe shkruan këngën e Muzës. Në medaljonin ngjyrë ari të çmimit Nobel për Letërsinë shkruhet:   “Inventas vitam juvat excoluisse per artes”- “Krijimet përmirësojnë jetën që është e zbukuruar përmes Artit”. Këto janë vargje nga Eneida e Virgjilit, kënga VI, vargu 663. Përse nuk e fiton dot Kadare? Dhe pyetja tjetër është: A duhet të hidhërohemi që ky shkrimtar nuk po e merr dot? Janë pyetje, që unë u kam dhënë përgjigje në disa shkrime të mëparshme, por pavarësisht dëshirës atdhetare dhe të sinqertë për ta fituar një shkrimtar i yni, pavarësisht reklamës dhe publicitetit të madh që i është bërë këtij shkrimtari i cili fitoi nam që në kohën e diktaturës me veprat e tij djallëzore si “Dimri i Vetmisë së Madhe” në të cilën mesazhi është i qartë: Vetëm udhëheqësi është i pa njollë dhe i mirë, të tjerët nuk janë të tillë. Dhe ky mesazh u kap nga publiku i atëhershëm shqiptar si një argument për të përkrahur edhe më tej PPSH, duke i zgjatur jetën komunizmit. Djallëzia e Enver Hoxhës për të afruar rreth vetes njerëz me talent të madh si Kadare, ishte një veti e tij tjetër negative për të ndihmuar klanin e tij që të mbijetonte me anë të përfshirjes dhe manipulimit të intelektualëve të atëhershëm. Mbajtja afër e talenteve i zgjati jetën rregjimit komunist dhe kjo është e vërteta e hidhur e asaj kohe. Ky ishte edhe shkaku se përse në Shqipërinë ateiste nuk pati opozitarë dhe kundërshtues të rregjimit nga intelektualët.    Pa i hyrë historisë më tej, edhe pas rrëzimit të rregjimit komunist dhe ardhjes së demokracisë, 173 intelektualët e shquar që mblodhi R. Alia në gusht-shtator 1990 për të përgatitur opinionin brenda e jashtë vendit për domosdoshmërinë e pluralizmit partiak dhe afrimin me Europën perëndimore dhe SHBA, u përdorën në fakt për të vazhduar trashëgiminë komuniste edhe pas rrëzimit të komunizmit duke na kujtuar edhe njëherë artificat që përdori Hoxha për të mbajtur afër inteligjencien dhe për të vënë në gjumë popullin. Në këto rrethana edhe e ashtuquajtura “arratisje e Kadaresë” në 1990, me sa duket me qëllim për ta përgatitur atë si një lider të ardhshëm politik, dështoi sepse nuk e besoi kush. I parë në këto aspekte, Kadare mbeti shkrimtar i talentuar i oborrit komunist të atëhershëm dhe përfaqëson një talent të madh të shfrytëzuar ndoshta me dashjen e tij (mbijetesë sipas autorit) i cili së bashku me intelektualët e tjerë të përkëdhelur nga PPSH (disa nga të cilët janë edhe në ditët e sotme) i zgjatën jetën rregjimit sepse ndoshta u gënjyen nga privilegjet e atij rregjimi.   Pa e zgjatur, shkrimet e Kadaresë në kohën e demokracisë nuk e kanë atë cilësi, ambitendencë e ambivalencë, por kanë kamuflazhin përkatës, krahasuar me shkrimet e bëra në kohën e diktaturës; sidoqoftë mesazhet e dhëna nga këto shkrimë të dy kohëve (diktaturë-demokraci), janë diametralisht të kundërta që mohojnë njëra tjetrën. E atashuar edhe me mesazhet pak humane, por shpesh nacionaliste të sforcuara, dhe mesazhin famëkeq të veprave të kohës së diktaturës si… uji që del nga burimi është i pastër (Enveri), por që ndotet poshtë (zyrtarët dhe populli)…., kanë bërë që çmimi Nobel t`i rrijë larg Kadaresë deri tani.    Mesa duket Kadare nuk mund ta marrë atë, megjithëse talenti i tij në shkrimet është i njëjtë me atë të Nobelistëve letrarë nga ana e formës, e përshkrimit, simbolikës, metaforave dhe krahasimeve letrare. Por, përmbajtja dhe Mesazhi i veprës së Kadaresë nuk përputhet dhe nuk është bindës. Veprën e Kadaresë për fat të keq do ta ndjekë hija e diktatorit.   Kur themi Kadare kujtojmë Enverin, që ai mbrojti dhe i dha besën sa qe gjallë. Ky fakt nuk duhet të na deziluzionojë sepse Shqipëria është plot talente qoftë letrare ose dhe në shkencat e tjera. Kombi shqiptar është vital dhe, ashtu si thotë një nga këngët e rilindasve që këndohet nga Grupi karakteristik i Korçës:… sa të rrojë gjithësia do të rrojë dhe Shqipëria…, do dalin talente të tjera që do të përdoren për të mirën e popullit dhe jo të udhëheqësit.