SHBA, 30 mars 2014 – Një nënë e re njujorkeze hoqi dorë për të luftuar kancerin që i ishte shfaqur në mushkëri për të sjellë në jetë fëmijën, që aq shumë dëshironte. Disa ditë pas lindjes së vajzës, 36 vjeçarja Elizabeth Joice vdiq. Bashkëshorti i saj vendosi të tregonte historinë e nënës së re që sakrifikoi jetën e saj për vajzën.
Historia e Elizabeth është historia e një gruaje që kërkonte të ishte nënë edhe pse vetëm për pak minuta apo pak ditë. Elizabeth ishte mjekuar vite më parë për kancerin e mushkërinjve dhe ia kishte dalë mbanë të fitonte betejën me sëmundjen. Pak kohë më pas, Elizabeth dhe i dashuri i saj Max vendosën të martohen dhe të zgjerojnë familjen. Vetëm një muaj pasi çifti kishte marrë lajmin aq shumë të dëshiruar, se Elizabeth ishte shtatzënë, mjekët u bënë të ditur se kanceri ishte rikthyer sërish.
Elizabeth duhet t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje, por mjekët nuk mund t’i bënin një skaner të plotë, pasi ajo ishte shtatzënë. Elizabeth vendosi të mbajë fëmijën dhe të mos mjekohej, megjithëse e dinte se kjo zgjedhje i rrezikonte seriozisht jetën.
Pasi lindi një vajzë të shëndetshme, mjekët konstatuan se sëmundja ishte përhapur shumë e s’mund të bëhej më asgjë. Gjithsesi në ditët që i kishin mbetur për të jetuar Elizabeth luftoi fort për çdo minutë dhe orë që i mbetej për të jetuar me Max dhe vajzën Liz. Në fund, mbylli sytë më 9 mars…
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





