Nga Ilir Misa
Ah sikur t’i përlanim ca para më shumë këtyre pasanikëve!!!
Kjo është fjalia që na ka rastisur të hasim rëndom gjatë verës, sa herë që dëgjonim fjalën “jaht”.
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, me më shumë histori dhe traditë në pritjen e jahteve turistike dhe mikpritjen e ekuipazheve të tyre, Shqipëria ka vetëm rreth gjashtë vitet e fundit, që me modesti, por dhe me shumë veshtirësi, po përpiqet t’i tërheqë ato në brigjet dhe portet e vendit tonë.
Duhet të jemi realistë se, në krahasim me vendet e tjera të rajonit, ne jemi shumë mbrapa në këtë industri të karakterit detaro-turistik. Ne jemi shumë mbrapa në infrastrukturë kryesisht, por po ashtu jemi shumë mbrapa edhe në konceptin e të bërit biznes dhe
ofruar turizëm kësaj fashe anijesh, ekuipazhesh dhe personave që udhëtojnë në bordet e tyre.
Deri sot ne nuk kemi një infrastruktë të mirëfilltë të ngritur për bregëzimin e këtyre jahteve në vendin tonë, në një kohë që vendet fqinje kanë ngritur një industri të tërë në funksion të tyre, ku përfshihet një bregëzim i sigurtë, mundësira për shërbime teknike dhe kantieristike detare, përfshirë këtu mundësitë e dokimit; mundësira për furnizim në kohë reale me pjesë këmbimi; furnizime me ujë, energji elektrike dhe furnizime të tjera të
nevojshme bordi, si ushqime, pije etj.
Po kështu, vendet fqinje kanë një koncept shumë më të avancuar dhe më modern sesa në në mënyrën e pritjes dhe mikpritjes dhe shërbimit maksimal në funksion të këtyre mjeteve, ekuipazhit të tyre dhe “miqve”.
Po, po “miqve”, nuk e lexuat gabim! Ndërsa në anijet e tjera të transportit, siç janë tragetet apo anijet, pasagjerë të një tipologjie tjetër.
Personat jo-ekuipazh që udhëtojnë me to quhen pasagjerë, ndërsa në jahte personat që
imbarkohen dhe udhëtojnë me to quhen “miq” (guests).
Dhe kjo ka një domethënie.
Nënkupton se ata kanë vendin e nderit dhe duhet të respektohen si miq dhe jo thjesht si pasagjerë, që kalojnë nga një anë e bregut në tjetrin në këmbim të pagimit të biletës së udhëtimit.
Në qoftë se dëshiron të bësh turizëm me këtë klasë personash që udhëtojnë në bord, duhet t’i konsiderosh ata miq në anije dhe në fakt vetë ekuipazhi i jahtit i konsideron ata të tillë, por kini parasysh se statusi i të qenurit “mik” duhet të vazhdojë edhe në tokë.
Megjithatë nuk mjafton vetëm mikpritja!
Çmimet – taksat – tentativa për të vënë një taksë relativisht të rëndë mbi karburantet që furnizojnë jahtet:
Rritja e numurit të prekjeve të jahteve në portet shqiptare kanë pasur si arsye kryesore ofertën për furnizim me karburante në regjimin doganor eksport, që do të thote pa taksa. Ndryshe bota e njeh këtë shitje si “tax free”.
Kjo mbetet arsyeja kryesore tani për tani.
Regjimi i mësipërcituar është ligjërisht i rregullt dhe këtu nuk ka asnjë shkelje doganore.
Këtë regjim doganor përdorin edhe vendet e tjera të rajonit. Ose më mirë të themi, ne e kemi kopjuar prej tyre.
Kështu Mali i Zi, me traditë shumëvjeçare në shërbimet për jahtet, aplikon të njejtin regjim “tax-free”.
Nga kjo mënyrë shitjeje, kompanitë e karburanteve dhe shteti kanë një marzh fitimi të vogël, por ndërkohë ka një përfitim të përgjithshëm në shkallë vendi, ku përfiton si vetë shteti, privatët e ndryshëm dhe po ashtu edhe operatorët turistikë. Trendi i përfitimeve ekonomike indirekte është një trend në rritje.
Nga viti në vit ka një rritje të prezencës së jahteve në vendin tonë duke theksuar se, furnizimi me karburant në regjimin doganor “tax-free”, ka meritën kryesore për këtë, ose me mirë të themi është arsyeja kryesore.
Merita e këtij zhvillimi ka ardhur nga angazhimi që kanë pasur kompanitë e karburanteve dhe po ashtu edhe nga mbështjetja që ka dhënë shteti për të aplikuar këtë politikë regjimi ekonomik.
Po ashtu, meritë kanë edhe agjentët dhe operatorët detarë e turistikë, që me shërbimet dhe fantazinë e tyre, po e zgjerojnë gamën dhe natyrën e shërbimeve duke sjellë rritjen e të ardhurave financiare në vend.
Në mënyrë shumë të thjeshtë do thoja: Në fillim lindën anijet, pa u krijuan portet e limanet. Pra, portet e limanet janë në shërbim të anijeve. Në qoftë se nuk ofrojmë porte të mira dhe shërbime cilësore, bashkë me tarifa atraktive shërbimesh, atëherë kuptohet që anijet dhe jahtet do të preferojnë të bregëzojnë gjetkë.
Rreziku që kjo punë të dështojë:
Gjithë kjo skemë po rrezikon të dështojë tashmë që u krijua. Ditët e fundit, Komisioni i Ekonomisë pranë Parlamentit ka marrë në shqyrtim një ProjektLigj, nëpërmjet të cilit karburanti që do t’i furnizohet këtyre jahteve, synohet të taksohet nëpërmjet një takse shtesë prej 65 lek për litër.
Ah sikur t’i përlanim ca para më shumë këtyre pasanikëve!
Por puna është, a janë vallë këta kaq budallenj, sa do të duan të pagujnë gati gjysmë euro për liter më shumë se çmimi ndërkohë kur shumë rehat shkojnë të furnizohen në vende të tjera fqinje, që kanë të njejtin regjim “tax-free” dhe për më tepër kur atyre i ofrohet një infrastrukturë shumë më e mirë dhe shumë më e sigurtë portuale, pritje e mikpritje.
Neve privatëve na intereson një shtet i fortë dhe sigurisht nuk do të ishte keq që këto para të mund t’i rikuperonim nëpërmjet këtyre mjeteve turistike.
Por shtroj pyetjen: A do të ishte e mundur kjo? Në vend të kësaj mos po humbasim?
Sepse, nëqoftëse mjetet do të drejtohen gjetkë për furnizim, edhe atë përfitim ekonomik që është vjelur këto vitet e fundit gjatë stinës së verës, nëpërmjet shërbimeve të tjera do ta humbasim.
Kam ndjesinë së kjo gjë do të ishte një lëvizje e gabuar!
Po pse u kujtua qeveria të hedhë këtë propozim, kur vetëm para pak viteve ajo lejoi regjimin “tax-free”?
Çfarë ndryshoi në politikat tona ekonomike? Çfarë përmirësimi ka bërë infrastruktura shqiptare deri sot gjatë kësaj kohe? Çfarë kanë përmirësuar portet në funksion të jahteve?
Them se nuk ka ndryshuar asgjë. Ka disa projekte për marina, por deri tani nuk ka ndryshuar asgjë. Duket vetëm si një politikë populiste, e cila nuk e njeh fare këtë fushë biznesi.
Disa ekonomistë jashtë fushës duket se i kane servirur qeverisë një projektligj thjesht për të bërë “show” dhe aludime populiste, të tilla si: “Pse karburanti duhet t’i ofrohet jahteve pa taksa?“
Epo mirë pra, le t’i taksojmë dhe le të mbajmë kalatet e porteve tona bosh…
Edhe atë pak para që hynte, le të mos e marrim! Mbetemi rehat në varfërinë tonë!
Ka edhe një humbje tjetër: Ajo e imazhit të vendit.
Këto vitet e fundit emri i Shqipërisë është përmendur gjithmonë e më shumë në tregjet e industrisë detare të jahteve dhe të turizmit të jahteve, madje edhe në revistat e këtyre.
A duhet ta quajmë këtë “turizëm karburanti” ?
Po çfarë rëndësie ka fundja sesi quhet ky turizëm!
Kur vendi ka përfitime të tjera indirekte nga kjo praktikë, nuk kemi se përse të mos ta mirëpresim dhe ta zhvillojmë më tej.
Uroj që qeveria të rishikojë propozimin që i ka mbërritur asaj nga karrige jo profesionale!
Durrës, 9 nëntor 2021
Av. Ilir Misa
Këshilltar për çështje të Industrisë Detare