Kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Anastas Janullatos, në një intervistë për filialin e CNN në Greqi, ka folur rreth problematikave aktuale globale dhe mënyrën sesi po i përballon Perëndimi. Duke iu referuar krizës së refugjatëve, Janullatos tha se për të parandaluar këtë fenomen duhet të respektohet krijesa njerëzore. “Kjo është madhështia e ortodoksizmit, kur gratë nuk ngurrojnë t’u japin gji, fëmijëve të njerëzve të vuajtur që po vijnë.” – thotë Anastas Janullatos.

Ndërkaq, teksa u pyet nëse Perëndimi ka përgjegjësi për nxitjen e terrorizmit, Janullatos u përgjigj: “Kam përshtypjen se Perëndimi nuk është kujdesur se çfarë do të thotë padrejtësi dhe çfarë do të thotë nevojë, dhe se ku mund t’i drejtojë popujt varfëria.”

Kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare thotë se europianët e kanë shpërfillur krishtërimin. Ata kanë lënë një boshllëk të madh, të cilin po e keqpërdorin interpretuesit e Islamit. “Kemi një luftë botërore asimetrike. Ekzistojnë interpretues të Islamit, që theksojnë përmasa të tjera. Kjo është një luftë ideologjike dhe terrorizmi nuk luftohet me avionë e raketa. Po të gjithë terroristët ku i gjejnë armët? Kush ua jep? A nuk janë forcat e mëdha, të cilat përfitojnë parà? Të gjithë ata që blejnë naftën e terroristëve, kush janë?” – pyet Anastas Janullatos.

Ndërkohë, kryepeshkopi Janullatos bëri thirrje se duhet të kemi kurajon e nevojshme për autokritikë. “Faj kanë të gjitha shoqëritë. Nëse nuk merremi me varfërinë, nuk mund të përballosh këto situata. Dhuna më e madhe është të jesh në varfëri,” – thotë Anastas Janullatos.

Marrë nga Top Channel