Gjigandi amerikan i pijeve freskuese, Coca-Cola ka njoftuar se po planifikon të prezantojë një Coca-Cola të re të ëmbëlsuar me sheqer kallami, duke konfirmuar planin që Presidenti Donald Trump e paralajmëroi javën e kaluar.
Kompania përdor sheqer të rregullt për të ëmbëlsuar pijen e saj në shumë pjesë të botës, por në SHBA zakonisht ka përdorur shurup misri, një alternativë me kosto më të ulët, për dekada të tëra. Sekretari i Shëndetësisë i Trump, Robert F Kennedy Jr ka shprehur shqetësim në lidhje me rreziqet shëndetësore të shurupit të misrit, megjithëse ekspertët thonë se nuk ka arsye të qarta ushqyese për të favorizuar një ëmbëlsues mbi tjetrin.
“Ky do të jetë një veprim shumë i mirë nga ana e tyre. Do ta shihni. Është thjesht më mirë!” shkroi Trump në rrjetet sociale javën e kaluar.
Në përditësimin e saj tremujor për investitorët të martën, firma konfirmoi se në vjeshtë do të lançojë shijen e coca cola-s të bërë me sheqer kallami amerikan. Kompania tha se produkti i ri do të plotësonte linjën e saj ekzistuese, duke u ofruar më shumë zgjedhje klientëve.
“Ne patjetër po kërkojmë të përdorim të gjithë mjetin… paketën e opsioneve të ëmbëlsimit në dispozicion deri në një farë mase aty ku ka preferenca të konsumatorëve”, tha shefi James Quincey kur u pyet për vendimin. Ai vuri në dukje se firma tashmë përdorte sheqer kallami në disa marka në SHBA, duke përfshirë limonadën, kafenë dhe ujin me vitamina.





