10 shtator 2013- Më 31 gusht, Hamide Biçaku humbi jetën si pasojë e konsumimit të një sasie të konsiderueshme fotoksine. Pas 10 ditësh, prokuroria e rrethit gjyqësor të Kavajës akuzon bashkëshortin e saj si personin që ka detyruar 20- vjeçaren t’i japë fund jetës. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, nëna e një vajze dyvjeçare,  humbi jetën në spital, ndërsa familjarët e saj akuzuan se ka qenë bashkëshorti i saj ai që ka detyruar gruan e re të vetëvritej. 10 ditë pas kësaj ngjarje, prokuroria e Kavajës ka vërtetuar akuzën e familjarëve të gruas së re.Sipas hetimeve, ka rezultuar se gruaja e re është keqtrajtuar për shkak të marrëdhënieve të acaruara me bashkëshortin e saj, G. Lika, me të cilin jetonte prej tre vitesh. Nga ana e policisë gjyqësore është bërë këqyrja e jashtme e trupit të viktimës dhe ka rezultuar se ka dëmtime në pjesën e buzës, në afërsi të brinjës në anën e majtë dhe në një të tretën e poshtme të kofshës së djathtë.Nisur nga kallëzimet e bëra dhe nga ekspertiza mjekoligjore, grupi hetimori drejtuar nga prokurorja Ornela Rrumbullaku ka dalë në konkluzionin se bashkëshorti i 20- vjeçares e ka detyruar atë të vetëvritej. Policia ka arrestuar më pas shtetasin G. Lika, duke e akuzuar për “shkaktim të vetëvrasjes” së bashkëshortes së tij, ngjarje e ndodhur në 31.08.2013 në fshatin Kryeluz, Kavajë.Ndërkohë ka qenë vëllai i viktimës ai që ka denoncuar fillimisht faktet mbi implikimin e kunatit të tij në vetëvrasjen e gruas së re. Sipas Artan Biçakut, konfliktet mes Hamidesë dhe bashkëshortit  të saj janë  përkeqësuar pas marrëdhënieve që ai kishte me të fejuarën e tij.

“E fejuara ime kishte një lidhje prej një viti, me burrin e time motre, G. Likën. Kur i kapa vetë mat në një hotel, e ndava të fejuarën. Motra e mori vesh nga njerëz të tjerë. Hamideja u nda për disa javë nga bashkëshorti. Erdhi në Librazhd, ndërsa vajzën e mbajti familja e burrit. Por erdhi i shoqi dhe iu lut që të kthehej se e kërkonte edhe vajza e vogël. U kthye sërish tek familja e burrit. Nga ajo çfarë kam marrë vesh, ajo është keqtrajtuar atje, e kanë lënë të flejë edhe në kasollen e bagëtive, deri sa u detyrua të vetëvritej”, mësohet të ketë deklaruar Artan Biçaku.

*******

Denoncimi: Vajzën tonë e kanë vrarë

Një javë pas vdekjes së vajzës së tyre, Safet dhe Violeta Biçaku trokasin në dyert e prokurorisë. “Vajza jonë nuk është vetë helmuar, hetoni për vrasje. Ajo rrihej barbarisht dhe detyrohej të flinte me kafshët në kasolle”- më ketë deklarim Safet e Violeta Biçaku nga Gizavesh i Librazhdit kanë bërë dhe denoncimin pranë organit të akuzës të Kavajës. Bëhet fjalë për vdekjen e vajzës së tyre Hamide Biçakun. Në 31 gusht ajo humbi jetën në spital, dhe ekspertiza vendosi që vdekja I kishte ardhur nga pirja e fostoksinës. Dosja për të u mbyll me ciklimin: vetë helmim. Por nisur nga historia e jetës bashkëshortore të vajzës së tyre, prindërit Biçaku nuk janë të bindur që fundi i saj ka ardhur si pasojë e vetë ndëshkimit. Sikurse mund të pranojnë një fakt të tillë, por duke kërkuar vënien para përgjegjësisë edhe të persona të tjerë që e kanë shtyrë drejt këtij vendimi.

Dhunimi
20-vjeçarja Hamide Biçaku nënë e një fëmije, nga Librazhdi ishte e martuar me Gentian Likën në Kavajë. Dhe pse nënë e një fëmije, ajo dhunohej barbarisht nga I shoqi i saj. “Nuk arrinim të kuptonin se çfarë ndodhte. Disa herë vajza është detyruar të fshihet të kushërinjtë, qoftë tek të burrit ashtu edhe tek njerëzit e saj. Ai e rrihte vazhdimisht, por Hamide nuk pranonte të fliste”, thotë nëna e saj Violeta. 20-vjeçarja ishte bërë viktimë e dhunës së të shoqit, i cili sipas familjarëve, vetëm disa muaj pasi ishin martuar, e dhunonte thuajse çdo ditë. Askush nuk shkonte të ndihmonte vajzën. Nëna e saj thotë, se janë bërë disa denoncime në policinë e Librazhdit dhe të Kavajës, por askush nuk e ndihmoi atë, derisa më 31 gusht humb jetën. Vajza e saj nuk lejohej të shkonte as në Pazar, e as të dilte në rrugë. Kohët e fundit ajo ishte izoluar nga të gjithë. Kjo, sipas familjarëve të saj, mund të ketë ndodhur e diktuar nga bashkëshorti Gentian Lika.

Familja
Nëna dhe babai I Hamides për kohë të gjatë kanë heshtur. Por nga vdekja e vajzës së tyre, ato tregojnë se në familjen e re, gjërat ishin ngatërruar mjaft keq. Burri i vajzës së tyre kishte një lidhje të fshehtë me nusen e kushëririt të gruas së tij. Madje kjo tradhti ishte dekonspiruar nga vetë kushëriri I viktimës, që gjeti të shoqen me burrin e kushërirës në një hotel në Pogradec. Kjo tradhti u mësua edhe nga vetë Hamidja. Që prej atij momenti, nusja e re, nuk gjeti paqe në atë shtëpi. Grindjet ishin të vazhdueshme, dhe dhuna po ashtu.

Nata e helmimit 
Familjarët tregojnë se ata dyshojnë tek vetëhelmimi  i saj. Vajza sipas tyre është helmuar me ushqim. Edhe pse ajo ka qenë në gjendje të rëndë, është dërguar në spital mëngjesin e ditës tjetër. Në Spitalin e Kavajës ajo është mjekuar për helmim ushqimi, por gjendja e rëndë e saj, detyroi bluzat e bardha ta dërgonin në Spitalin Nënë Tereza në Tiranë. Në mbrëmjen e ditës tjetër, nga momenti që ka shfaqur shenjat e helmimit, ajo ka humbur jetën. Mjekët u thanë prindërve që 20-vjeçarja vdiq për shkak të përdorimit të fostoksinës.

“O drejtësi, o hakmarrje”
Kam katër djem, ata do të marrin hak për motrën e tyre, ndaj dua drejtësi”- kështu u drejtohet ajo fëmijëve të tjerë. Violeta Biçaku, premton se do të marrë hak për vdekjen e vajzës së saj, nëse nuk vendoset drejtësia. Ajo fajëson për këtë ngjarje, direkt burrin e saj Gentianin. Ajo thotë se derisa ai arriti ta mbante edhe në kasolle vajzën, ai edhe I ka hedhur helm në ushqim. Gruaja e lënduar nga humbja e së bijës, thotë se do të pres për pak kohë sa të shikojë çdo të bëjë shteti, në të kundërtën asnjë burrë nuk duhet të qëndrojë brenda në shtëpi, nëse nuk marrin hakun e motrës dhe vajzës së tyre.

/gazeta dita/