Në Milano, në pjesën kuqezi, zhgënjimi është absolutisht shumë i madh pas këtij eliminimi të rëndë nga Feyenoord. Protagonistët nxituan të marrin përgjegjësi dhe sigurisht i pari në apel u paraqit trajneri Sergio Conceiçao: “Jemi të mërzitur, zhgënjimi është shumë i madh. Ne e dimë që jemi më të fortë, gabuam në Roterdam, por e kishim përgatitur këtë ndeshje për të fituar. Episodi me Theo-n ndryshoi ndeshjen, ndërsa në goditjen e tyre të parë në portë shënuan. Për mua kjo është një disfatë. Nuk është një situatë e re, kam bërë shumë gabime dhe do të vazhdoj të bëj, edhe lojtarët e mi, por fytyra e këtij eliminimi jam unë dhe jo Theo. Ky mbrëmje ishte një dështim, por unë jam në Milano prej afro 1 muaj e gjysmë. I vetmi trofe që duhej të fitonim ishte Superkupa dhe e fituam. Jemi në gjysmëfinale të Kupës së Italisë.

Atmosfera në Milano nuk është nga më të mirat, por në kampionat, që kur kam ardhur unë kemi bërë 14 pikë, Napoli 15”, u shpreh Conceiçao në konferencë për shtyp. I zhgënjyer për këtë eliminim u shfaq edhe Zlatan Ibrahimovic, por drejtori i “djallit” nuk kërkoi një përgjegjës, por kërkoi nga ekipi të qëndrojnë të bashkuar: “Jemi të zhgënjyer, të mërzitur, na mungoi pjekuria. Mendoj se në rastin e Theo-s arbitri u tregua i ashpër, ta ndëshkosh për simulim në një ndeshje të tillë më duket e rëndë, mund ta kalonte me një paralajmërim. Nuk besoj se Theo është dikush që aktron, por ai episod ndryshoi ndeshjen. Tani, e rëndësishme është të qëndrojmë të bashkuar dhe të mendojmë për Serie A, për objektivin e radhës”, theksoi Ibra.