Antonio Conte, selektori aktual i Italisë, ishte shumë pranë që ta marrë drejtimin e Kombëtares shqiptare në vitin 2007. Në vitin 2007, Antonio Conte ishte shumë pranë Shqipërisë. Por, oferta e marrë nga skuadra e Barit, në çastet e fundit, e bindi italianin që t’i bashkohej këtij ekipi.
Prapaskenat mes ish-trajnerit të Juventusit dhe Federatës së Futbollit të Shqipërisë i ka zbuluar menaxheri shqiptar, Sokol Haxhia, i cili kishte ‘transferuar’ De Basin në ekipin kuqezi. "Unë kam pasur gjithmonë një raport të shkëlqyer me Federatën Shqiptare dhe presidenti më ka përfshirë gjithmonë në zgjedhjen e trajnerëve të kombëtares. Në vitin 2007, kur sapo kishte përfunduar eksperiencën e tij tek Areco, kisha një akord me Antonio Conten, i cili në atë periudhë ishte ende një trajner i ri që duhej të tregonte ende veten”, ka deklaruar Haxhia në një intervistë për Passionedelcalcio.it.
“Por unë besoja gjithsesi se kishte brumin e duhur për t’u bërë një trajner i rëndësishëm, ndaj ia propozova presidentit të FSHF-së. Megjithatë, ndërsa po mbyllnim gjithçka, mbërriti një telefonatë nga Perinetti dhe Antonio vendosi të shkonte te Bari, duke e drejtuar fillimisht te mbijetesa në Serinë B dhe më pas te ngjitja në Serie A, duke i dhënë kështu një shtysë të rëndësishme karrierës së tij", shtoi ai.
Pas dështimit të kësaj marrëveshjeje, Federata Shqiptare e Futbollit vendosi që në krye të ekipit kuqezi ta emëroj holandezin Arie Haan. Ky i fundit u shkarkua nga detyra pas disa ndeshjeve me rezultate të dobëta. "Ndaj ne vendosëm që të punësonim Arie Haan, i cili u largua pas pak kohësh. Pas dy viteve me po aq trajnerë të punësuar, presidenti më tha se dëshironte të fillonte një cikël të ri, dhe më kërkoi të gjeja një trajner të mirë italian. I prezantova një listë me katër emra dhe zgjedhja e tij ra mbi Gianin, meqë mendonim se ishte emri i duhur për të zgjidhur limitet e lojës së skuadrës. Ai u tregua shumë i aftë për t’u dhënë një organizim mbrojtës ekstrem lojtarëve, si italian që është, si dhe të afronte dhe vlerësonte të rinjtë më interesantë", shton menaxheri shqiptar.