Edhe mbrëmjen e kësaj të marte, Policia Bashkiake e Durrësit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit në bazë të planit të përbashkët të masave, ka vazhduar me monitorimim dhe kontrollin e subjekteve dhe qytetarëve që nuk respektojne orarin e izolimit pas orës 17:30.

Mësohet se bashkëpunimi ka qenë i suksesshëm gjatë kësaj periudhe të Covid-19 si në tregjet e qytetit, mbylljen e disa lokaleve bar-kafe, të cilat janë konstatuar të hapura; në sigurimin e distancës sociale në furra buke, supermarkete, tregjet e fruta – perimeve, nëpër shëtitore, plazh etj.

Nga inspektimet e përditshme në terren dhe apeli i vazhdueshëm që iu bëhet qytetarëve e respektimi në masë i rregullave të vendosura nga qeveria për parandalimin e përhapjes së Covid-19, ka sinjale pozitive për kreun e Policisë Bashkiake të Durrësit se situata është nën kontroll deri më tani në qytetin bregdetar.

“Jemi optimistë pasi shumica e qytetarëve i respektojnë urdhrat dhe udhëzimet e dhëna nga qeveria. Kemi konstatuar që qytetarët janë ndërgjegjësuar e nëse vazhdojmë kështu, do të kemi sa më pak pasoja dhe më pak njerëz të infektuar”, thotë për “DurrësLajm” Vasip Çopa, teksa ripërsërit edhe një herë apelin për të shmangur daljet e panevojshme e për të dalë jashtë të pajisur me maska e doreza dhe duke respektuar distancën e sigurisë mes njëri-tjetrit.

Tashmë penalizimet janë bërë edhe më të ashpra për ata që kapen në shkelje, por nga ana tjetër këtë javë pati edhe lehtësira në zgjatjen e fashës orare për qytetarët dhe bizneset deri në 17:30.

S.L.