Kur jemi në mesin e muajit shkurt dhe përgatitjet për sezonin veror duhet të kishin nisur, zona turistike e plazhit mbart problematika të shumta, sidomos në infrastrukturën rrugore.

Rruga e Enkelejve, e njohur ndryshe si rruga dytësore e plazhit, ka nevojë për ndërhyrje urgjente. Gropat e krijuara në asfalt e vështirësojnë jo pak kalimin në të, sidomos në muajt e verës, kur trafiku është i rënduar dhe ajo përdoret si rrugë altenative.

Situata është mjaft e rënduar në rrugët e tjera dytësore, që lidhin segmentin “Pavarësia” me rrugën e Enkelejve.

“Janë shumë skandal rrugët. Si kjo ku ndodhemi “Andon Boshnjaku”, si tjetra, si të tjerat me radhë”.

“Copë-copë është rruga. Të gjitha rrugët janë me gropa”.

“Kam rreth 60 metra rrugë nga asfalti deri tek shtëpia shumë keq. As kujtohet njeri, nuk vënë as ndriçim. Këtej thonë kemi rregulluar, por asgjë nuk kanë rregulluar. Rregullojnë aty ku u do qejfi”,- thonë banorët e lagjes nr.13 për “DurrësLajm”.

Në shumë rrugë dytësore të zonës së plazhit vihet re një fenomen i çuditshëm. Asfalti është shtruar deri në gjysëm të rrugës, ndërsa pjesa në vazhdim është tërësisht me infrastrukturë të rënduar. Gropat plot ujë dhe balta janë bashkëshoqërues të banorëve të zonës, siç ndodh tek aksi “David Selenica”.

“E lanë vetë përgjysëm. arsyen e dinë ata. U thamë do shkojmë në bashki na u përgjigjën: Shkoni ku të doni. Ne do ta bëjmë rrugën deri këtu! Çfarë kuptimi ka rruga deri këtu?”,– shtron pyetjen një banor, që asfalti i shkon deri afër derës së shtëpisë, ndërsa pjesa tjetër e rrugës është siç shihet në fotot më sipër.

Përgjatë rrugës “Pavarësia”, cilësia e punimeve në trotuare lë shumë për të dëshiruar. Infrastruktura rrugore nuk lë indiferentë as shtetasit e huaj, që kanë nisur të popullojnë zonën e plazhit, si rezidentë të kësaj lagjeje.

“Nuk mirëmbahet. Duhet të tregojmë kujdes, kur kalojmë, të shohim poshtë sepse mund të biem. Ka gropa dhe puseta pa kapakë, është e rrezikshme”,- na thotë një shtetase italiane.  

Nëse nuk ndërhyhet për të sistemuar infrastrukturën rrugore, zona e plazhit do të lërë shumë për të dëshiruar në sytë e turistëve të huaj. Ndërkohë ndërhyrja është emergjente për rezidentët, makinat e të cilëve po dëmtohen çdo ditë.

Përgjatë vitit që lamë pas, Durrësi u vizitua nga 1.5 milionë turistë.   

M.B.