Është bërë traditë vitet e fundit që të gjithë fëmijët e Durrësit si dhuratë për festat e fundvitit të kenë një shfaqje enkas për ta.
Është premiera “Coppélia” ose “Vajza me sy të smeraldtë”, balet pantomimik e komik në dy akte dhe tre skena, e cila vihet në skenë për herë të parë nga studio e baletit Arian Plaku me regjisore Driada Dervishi.
Shfaqja vjen për herë të parë në Shqipëri, në një përshtatje jo vetëm për fëmijët, por për të gjitha moshat. Provat finale janë vënë në skenë një ditë para shfaqjes së madhe me koreografi te Arian Plakut.
Për shfaqjen ka patur një interes të jashtëzakonshëm nga prindërit dhe fëmijët, të cilët ditë më parë kanë prenotuar vendet në sallën e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”.
Historia e baletit është frymëzuar nga Hoffman, krijuesi i njohur i veprës “Arrëthyesit”, me muzikë nga kompozitori Leo Delibes. Regjisorja Driada Dervishi, e cila është duke punuar me fëmijët në skenë, thotë se gjithçka është gati që vogëlushët të shikojnë e të shijojnë një shfaqje, e cila u përket vetëm atyre.
Subjekti është marrë në një fshat të vogël, ku jeton një kukullabërës, pak magjistar, i quajtur Coppélius, i cili pas shumë përpjekjesh ka arritur më në fund të krijojë kryeveprën e jetës së tij, një kukull mekanike, identike me një njeri, në përmasa e detaje, që quhet Coppelia.
Sic pritet, ngatërresa të shumta ngjasin për shkak të saj, skena xhelozie, kukulla të çuditshme që fillojnë të vallëzojnë. Ky balet shënon shfaqjen e tij të parë në vitin 1870, në Teatrin Kombëtar të Operas së Parisit e që atëherë qëndron në repertor, jo vetëm aty por në shumë vende të ndryshme të botës.
Ndërkohë, rolin e tregimtares do ta luajë artistja e njohur Aishe Stari. Shfaqja do të vijë për publikun në datat 13-16 dhjetor, ora 18.00, në teatrin “Aleksandër Moisiu”.
K.H.