3 nëntor 2013- Tashmë Lazarati gëzon një status të veçantë. Një erë e rëndë të pret sapo shkel në fshatin e Lazaratit. Është era e marijuanës. "Në Shqipëri, i gjithë fshati Lazarat kultivon marijuanë". Ky është titulli i një artikulli të botuar sot në gazetën italiane “Corriere della Sera”.
Sipas kësaj gazete, i vetmi vend që është i pa prekur nga kultivimi i kanabisit, është pjesa e varrezave të këtij fshati. Fshati ka 4 mijë banorë, ndërsa rreth 70 persona të gjinive dhe moshave të ndryshme kanë përfunduar në spital, si pasojë e intoksikimit nga lënda narkotike.Gazeta italiane, në shkrimin e saj pasqyron faktin se policia shqiptare dhe gazetarët lokalë dinë gjithçka ndodh aty, edhe pse nuk arrijnë të hyjnë në atë vend, i cili cilësohet si “Fshati i marijuanës”, “Kryeqyteti i hashashit” apo “Republika e barit”.
Në artikullin në fjalë citohet se në Lazarat gjenden 350 mijë rrënjë të mbjella, të kultivuara në 320 hektarë tokë. Sipas Guardia di Finanza italiane, çdo vit, nga Lazarati dalin 900 tonelata të këtij prodhimi, për një vlerë tregu të barabartë me 4.5 miliardë euro. Po sipas gazetës, 9 familje në 10, e kanë tashmë mënyrë jetese këtë lloj tregtie. Për një vit, një familje prodhon mesatarisht një tonelatë marijuanë dhe çdo kg, shitet për 300-320 euro.





