Itali, 23 korrik 2014 – Anija gjigande e kroçerave “Costa Concordia”, aksidentuar 900 ditë më parë pranë ishullit të Giglios në Itali, ka nisur sot udhëtimin e saj të fundit. Me drejtim portin e Genoas, ajo lë kështu pas tragjedinë e 32 viktimave dhe qindra passagjerëve, të cilët kaluan mbrëmjen e 13 janarit të 2012-ës, momentet më të vështira të historisë detare të anijeve të udhëtarëve.

Udhëtimi që pritet të përfundojë me sukses ditën e djelë, do të jetë rreth 180 milie, afërsisht 330 kilomentra e gjatë. Sipas ekspertëve ajo po lëviz aktualisht me 2 milie në orë, ndërkohë që nëse moti do të jetë i qëndrueshëm, anija do të mbërrijë në port brenda 5 ditëve. Pasi të largohet nga ishulli i Giglios, ajo do të marrë drejtimin drejt Korsikës, për të vijuar në la Specia e më pas për mbërritur në Genoa. Anija do të sistemohet si fillim përgjatë digës së jashtme të terminalit dhe më pas në bankinë. Kjo cilësohet si faza e lehtësimit të “Concordia”-ës, e cila do të kryhet nëpërmjet çmontimit të pjesës arreduese të saj, ndërkohë që më pas, do të vijohet me heqjen e të gjitha pjesëve përbërëse të relikës.

Emocionet e të mbijetuarve

Me mijëra persona të pozicionuar në breg kanë ndjekur të emocionuar shkëputjen e anijes nga vendi i tragjedisë, duke e shoqëruar edhe me duartrokitje përshëndetëse. Nuk kanë munguar edhe lotët, sidomos në rradhët e atyre që tragjedinë e jetuan personalisht, duke humbur edhe të afërmit e tyre.

“Është fundi i historisë së një anije, i një bishe metali, por nuk është fundi i historisë sime me “Costa Concordia”. Nuk mund të harrohet! Po ta harroja atë natë, nuk do të ishte normale. Kjo histori është ende në memorien time dhe e pjesë endërrave të mia”- është shprehur për agjencinë telegrafike italiane ANSA, Pablo Lazaro, një nga të mbijetuarit e asaj nate .

Pjesë e kompanisë gjigante “Costa Crociere”, anija e udhëtarëve “Costa Concordia”, goditi një prej shkëmbinjve, në cekëtirën e ishullit të Giglios, si pasojë e një manovre të gabuar të kapitenit të saj, Francesco Schettino, i cili më pas braktisi anijen. Viktimat e tragjedisë ishin 32 persona, turpat e të cilëve u gjetën përfundimisht rreth 1 vit pas aksidentit.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/