DURRËS, 30 mars 2013– Një nga anijet e kompanisë së kroçerave turistike “Costa Crocere” ka mbërritur sot për herë të parë në portin e Durrësit, ndërsa ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, i pranishëm në akostimin e anijes, ka bërë me dije se anijet e kësaj kompanie të njohur do të jenë edhe dy herë të tjera në portin e Sarandës.
"Ne jemi të kënaqur që kroçera të kompanive të mëdha kanë tashmë në itinerarin e tyre edhe portet e vendit tonë", tha Olldashi, i cili u takua me komandantin e anijes, Giovanni Cosini.
Ministri Olldashi tha për mediat e pranishme se "në portin e Sarandës po krijohen të gjitha kushtet për mbërritjen e anijeve të mëdha turistike dhe numri i tyre do të rritet gradualisht edhe në portin e Durrësit, ku gjatë viteve të fundit kanë mbërritur mjaft kroçera". Bashkëpunimi mes palëve ka mundësuar edhe sot vizitat e turistëve në qytetet e Tiranës, Beratit dhe Durrësit, tha Olldashi.
Ministri Olldashi i dhuroi komandantit të kroçerës një album me foto të Shqipërisë turistike, ndërsa dy punonjëse të portit i dhuruan tufa me lule dy udhëtareve të para, turiste që zbritën nga bordi i kroçerës.
Kroçera “Costa Voyager” ka sjellë sot në Durrës 761 turistë, shumica e të cilëve nga Franca. Ajo do të vazhdojë lundrimin për në Kroaci sot në mbrëmje.





