Francë, 23 maj 2014 – Femrat trajnere në futbollin e meshkujve tashmë e kanë një përfaqësuese në nivelet profesioniste. Bëhet fjalë për skuadrën franceze të Claremont Foot e cila ka emëruar në krye të stolit një femër. Ajo quhet Helena Costa, e cila do të shkruajë emrin në histori si femra e parë që merr drejtimin e një klubi evropian që militon në dy divizionet e para: 

“Ky është një lajm shumë i madh në karrierën time. Kjo është një ngjarje që mund ta hapë derën edhe për hyrjen e shumë femrave të tjera në botën e futbollit. Nuk habitem aspak nga prania e madhe e mediave dhe interesit që është shfaqur për këtë konferencë shtypi por për mua është një gjë normale. Dua që të gjykohem vetëm në bazë të rezultateve”.

Clermont militon në divizionin e dytë francez ku renditet në vendin e 14 pas një sezoni plot ulje ngritje.

“E kam theksuar edhe më parë se objektivat do t’i vendosim me kalimin e kohës sepse jemi një skuadër me buxhet të vogël. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se nuk duhet të jemi ambiciozë sepse jemi të gjithë profesionistë dhe duhet të punojmë për t’u rritur ditë pas dite”.

Costa e ka nisur karrierën si trajnere në Portugali ku ka drejtuar disa ekipe rajonale të rinjsh. Ajo ka drejtuar gjithashtu edhe kombëtaren e femrave të Katarit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/