22 maj 2015 – Edhe pse i ka mbyllur llogaritë për këtë sezon futbollistik, sa u përket objektivave, Teuta po vijon me përgatitjet në kuadër të përballjes së fundit me Tiranën.

Në kampin durrsak ka pllakosur qetësia dhe të gjithë po mendojnë për sezonin e ardhshëm. Sulmuesi Mirel Çota shprehet se skuadra e tij do të bëjë detyrën edhe në javën e fundit, duke respektuar si duhet garën.

"Ne i kemi mbyllur llogaritë me kampionatin dhe tashmë po punojmë me qetësi. Fatmirësisht e kaluam me sukses provën vendimtare dhe tashmë vëmendja jonë do të përqëndrohet totalisht tek sezoni i ardhshëm. Aktualisht ne po punojmë të qetë, duke u përgatitur për ndshjen e radhës me Tiranën, e cila do të jetë e fundit për këtë sezon. Në këtë përballje për ne nuk kanë rëndësi fare pikët dhe do të futemi në fushë për të bërë një përformancë të mirë dhe për të respektuar garën deri në fund. Fakti që kemi siguruar mbijtetesën nuk do të thotë se do të tolerojmë në këtë përballje, përkundrazi ne do të futemi në fushë për ta fituar ndeshjen, por mbi të gjitha për të bërë një paraqitje të mirë”, u shpreh fillimisht sulmuesi.

Duke vijuar më tej, sulmuesi tregon emocionet e fitores me Apoloninë, të cilën e konsideron më të rëndësishmen e karrierës. “Fitorja me Apoloninë, për mua dhe shokët e tjerë të skuadrës, ishte më e rëndësishmja e karrierës, pasi bëhej fjalë për mbijetesë. Fjala mbijetesë është shumë e madhe dhe po ta krahasosh me titull kampion, është shumë herë më e rëndësishme. Parë në këtë këndvështrim, mendoj se ishte një arritje e madhe. Edhe pse e kemi arritur këtë objektiv, sigurisht që nuk ndihemi mirë kur flasim për mbijetëse, pasi një skuadër si Teuta nuk duhet t’i diskutojë këto gjëra. Por ky sezon ishte një ndër më të dobëtit e viteve të fundit dhe shpresojmë të mos përsëritet më”, përfundoi Çota .

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/