16 janar 2015 – "Teuta do të jetë supriza për pjesën e dytë të kampionatit" kështu shprehet sulmuesi i "djemve të detit" i sapoardhur nga merkato Mirel Çota, i cili ka besim se Teuta do të bëjë një paraqitje shumë të mirë dhe do të kthehet në "makth" për të gjitha skuadrat e Superiores. Çota shprehet optimist për merkaton dhe për formën që po kalon aktualisht skuadra, duke marë parasysh lojën që Teuta zhvilloi në ndeshjen miqësore me Tiranën pretendente ndërkohë që të shtunën Teuta do të zhvillojë një miqësore me Besën në orën 13.00.
"Unë jam i bindur se Teuta do të jetë skuadra e cila do të bëjë diferencën përgjatë pjesës së mbetur të kampionatit. Personalisht mendoj se janë lënë pas momentet e vështira që Teuta ka kaluar përgjatë dy fazave të para të kampionatit dhe tashmë situata në skuadër ka ndryshuar për mirë. Shikoj një skuadër të mirëorganizuar, e cila ka besim tek forca e saj. Ky fakt u pa edhe në përballjen miqësore me skuadrën e Tiranës ku gjithçka fuksionoi shumë mirë. Skuadra u vendos shumë mirë në fushë dhe zhvilloi një ndeshje mjaftë cilësore në të gjitha drejtimet, duke lënë pështypjet se kemi të bëjmë me një skuadër të mirëorganizuar në të gjitha repartet. Kjo erdhi edhe si pasojë e përforcimeve", u shpreh fillimisht Çota. Kur na ndajnë 10 ditë nga rinisja e kampionatit, në kampin durrsak kanë nisur të mendojnë për transfertën e Vlorës.
Sulmuesi shprehet optimist teksa pohon se teuta do të udhëtojë drejt Vlorës për të fituar.
"Ne po vazhdojmë të përgatitemi intesivisht dhe përpos faktit se është ende herët për të menduar për Flamurtarin, vëmëndja jonë është përqëndruar totalisht tek kjo përballje. Skuadra ndihet në formë shumë të mirë dhe kemi besim se do fitojmë në Vlorë, duke marë parasysh edhe problemet me të cilat po përballen vlonjatët kohët e fundit. Përpara kësaj përballje skuadra e Teutës do të luajë dy ndeshje miqësore, me qëllim që të konsolidohemi. Gjithçka po fuksionon si duhet dhe jam i bindur se Teuta do të klthehet në "makth" për të gjitha skuadrat e Superiores ndërkohë që personalisht do të përpiqem të shënoj që në këtë ndeshje të parë", përfundoi Çota.





