Nuk ka kthim pas për Phillipe Coutinhon. Braziliani e ka bërë tashmë zgjedhjen dëshiron të transferohet me cdo kusht te Barcelona dhe për këtë arsye ka vendosur të mos luajë më për Liverpoolin, vetëm e vetëm për të arritur objektivin e tij që është kalimi te katalanasit. Drejtuesit e The Reds nuk duan të privohen nga shërbimet e Coutinhos për të kënaqur trajnerin Jurgen Klopp, por me këtë vendim të tyrin kanë dalë kundër dëshirës së lojtarit i cili tashmë është i gatshëm të mos zbresë më në fushë me Liverpoolin. Nëse kjo ndodh 25-vjecari do të rrezikonte grumbullimin në Botërorin e Rusisë me kombëtaren braziliane, por as dicka e tillë nuk e tremb Coutinhon i cili nuk dëshiron ti hiqet mundësia për të mbajtur veshur fanellën e Barcelonës, dicka që e ka ëndërruar gjithmonë.Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, ish lojtari i Interit madje i ka bërë të ditur trajnerit gjerman të Liverpoolit, Jurgen Klopp se nuk dëshiron të luajë më me të Kuqtë.
Pak ditë më parë Liverpooli doli me një komunikatë zyrtare ku bënte të ditur, se nuk do të lejonte largimin e Coutinhos te Barca, por gjasat janë që drejtuesit e The Reds të bëjnë prapakthehu. Coutinho mungoi në ndeshjen e parë të Premier Leagues ndaj Watfordit dhe në sfidën e play-offit të Championsit ndaj Hoffenheim-it, për shkak të problemeve në shpatull, një sinjal mëse i qartë ky se lojtari dëshiron largimin nga Anfield Road. Pas kësaj lëvizjeje që po bën lojtari në lidhje me të ardhmen e tij, pritet një ofertë e re nga ana e Barcelonës në drejtim të Liverpoolit për Coutinhon që pritet të jetë më e lartë se 100 milionë Euro.