Rregullat e lëvizjes së qytetarëve në kushtet e karantinës kanë venë në vështirësi mjaft qytetarë në Durrës.

Problemi kryesor që ngrejnë qytetarët është ai i ndërprerjes së aktvitetit ekonomik, i cili ndikon drejtpërdrejt në jetën e tyre të përditshme.

Ata shprehen se janë pa punë dhe furnizimi me ushqime, ashtu siç premtohet, nuk po kryhet akoma. Në lagjen nr.8 të qytetit shumë banorë jetojnë në kushte të vështira ekonomike.

Kjo duke më së miri në një dyqan të vogël ushqimesh, pronari i të cilit shprehet se shumica e klientëve që vijnë aty nuk kanë lekë dhe po blejnë duke shënuar emrin në listë.

Rregullat e karantinës detyrojnë pensionistët që të mos dalin nga shtëpia për të blerë ushqime. Por një pjesë e tyre që banojnë në këtë lagje thonë se askush nuk ka ardhur për t’i ndihmuar ata ndërsa vetë nuk janë në gjendje të dalin.

Ndihmat në ushqime po shpërndahen nga një grup emergjence i ngritur në prefekturë. Kërkesat janë mjaft të larta aktualisht dhe shumë prej tyre presin çdo ditë pranë shtëpive të tyre për ushqime.