Britania e Madhe, vendi i goditur më rëndë në Europë nga pandemia e COVID-19, kapërceu sot pragun e 50 000 të vdekurve nga virusi, sipas raportit të autoriteteve shëndetësore.

Vendi regjistroi 595 vdekje shtesë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve në 50 365.

Një shifër kaq e lartë vdekjesh ditore nuk raportohej që nga 6 maji, kur u regjistruan 612 vdekje.

“Çdo vdekje është një tragjedi”, tha kryeministri Boris Johnson në një fjalim në televizion.

“Pavarësisht shpresës për një vaksinë së shpejti, ne ende nuk jemi jashtë rrezikut”, vazhdoi ai, duke u bërë thirrje britanikëve të vazhdojnë të ndjekin rregullat e synuara për të luftuar kundër përhapjes së virusit.

Përballë valës së dytë të COVID-19, qeveria britanike ka vendosur një bllokim të ri në Angli për një muaj, i cili pritet të përfundojë më 2 dhjetor.