Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Caka njofton se gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një numër telefonatash me përfaqësues institucionalë në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi e Luginë të Preshevës.

Cakaj shkruan ne Facebook se telefonatat kishin në fokus diskutime mbi masat e ndërmarra në luftën kundër pandemisë dhe rëndësinë e bashkëpunimit intensiv gjatë këtyre ditëve, deri në mposhtjen përfundimtare të COVID-19, në të mirë të shëndetit të të gjithë shqiptarëve.

POSTIMI I PLOTË

Sot zhvillova një numër telefonatash me përfaqësues institucionalë në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi e Luginë të Preshevës, për të biseduar për shëndetin e bashkëkombësve tanë, masat e ndërmarra në luftën kundër pandemisë dhe rëndësinë e bashkëpunimit të shtuar në mposhtjen përfundimtare të COVID-19.

Bisedova me Ministrin e Jashtëm të Kosovës, z. Glauk Konjufca, zv. Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, z. Bujar Osmani, Kryetarin e Tuzit, z. Nik Gjeloshaj e zv. Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, z. Genci Nimanbegu dhe, natyrisht, me Kryetarin e Bujanovcit, z. Shaip Kamberi, Kryetarin e Preshevës, z. Shqiprim Arifi dhe Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, z. Ragmi Mustafa.

Ndonëse në këtë luftë jemi sfiduar të gjithë, së bashku do t’ia dalim pa asnjë diskutim!
Natyrisht, ne do ta ruajmë komunikimin institucional për të bashkërenduar veprimet tona sipas nevojave.