Gjendja në të cilën ndodhet vendi për shkak të COVID-19, nuk ka penguar çiftin e veterinerëve të Klinikës Veterinare KLOER, Klodiana & Eror Zylyftari, të vijonë punën për projektin e rehabilitimit të situatës me kafshët endacake në rrugët Durrësit.
Gjatë këtyre 30 ditëve, veterinerët kanë sterilizuar dhe vaksinuar më shumë se 100 raste të reja.
Ata tregojnë se të gjitha kafshët e sterilizuara matrikullohen duke i vendosur një numër të caktuar sipas radhës së kapjes dhe të gjithë skedohem duke pasur nga një kartelë me të dhënat si mosha, ngjyra, vendi i kapjes, data dhe të dhëna të tjera identifikuese në mënyrë që kafshët të dallohen nga rastet e reja të pasterilizuara/vaksinuara.
Sipas veterineres Klodiana, kufizimi i lëvizjeve nëpër qytetin bregdetar ka bërë që rastet e reja t’i lokalizonin më lehtë.
“Që me nisjen e karrierës si veterinere, një ndër qëllimet kryesore ishte investimi në qytetin tim të lindjes, përsa i përket situatës me kafshët endacake. Këto ditë ka qenë edhe më motivies fakti që mund t’i lokalizonim më lehtë rastet në terren për shkak të kufizimit të lëvizjeve. Ndjej kënaqësi që kemi arritur pas kaq vitesh në këto rezultate pozitive.”, thotë ajo.
Ndërsa Erori ndihet optimist për rezultatin e arritur deri më tani në punën e bërë me kafshët endacake, ndërsa kujton edhe fillimet.
“Nëse në fillesat tona, ishte një situatë shumë problematike përsa i përket numrit të lartë të kafshëve endacake, kryesisht shtimit të qenëve, tashmë ndjehemi optimist për rezultatin e arritur.”
Çifti i veterinerëve e nisi punën vullnetarisht në vitin 2012 për të bërë të mundur uljen e numrit të kafshëve endacake nëpërmjet praktikave të sterilizimit/ vaksinimit dhe adoptimit të tyre, ndërsa prej tre vitesh bashkëpunon me Bashkinë e Durrësit dhe organizatën e huaj jofitimprurëse “JETA Tier und Mensch”(Jeta, kafshët dhe njerezit).
Gjatë tre viteve të fundit, Klodiana dhe Erori kanë bërë të mundur sterilizimin dhe vaksinimin e 1000 kafshëve endacake.





