Ashtu si në të gjithë vendin, edhe në Durrës shifrat e të prekurve me Covid-19 kanë shënuar një rritje të ndjeshme. Ditën e parë të kësaj jave u regjistrua shifra rekord prej 39 persona të prekur, ndërsa sot ishin plot 25 pozitivë. Vetëm të martën shifra ishte pak më e ulët, vetëm 7 të infektuar. Ndërkohë në të gjithë qarkun janë gjithsej 718 raste aktive me koronavirus. Në vetëm 3 ditë në qytetin bregdetar janë 71 persona të prekur, ndërsa mësohet se një pjesë e konsiderueshme e të infektuarve janë në institucione shtetërore.
Edhe më herët, në jo pak raste institucionet shtetërore kanë qenë vatra të përhapjes së koronavirusit, edhe për shkak të përqendrimit të një numri të lartë personash brenda të njëjtës zyrë, në një hapësirë të kufizuar.
Për të disatën herë me radhë Covid-19 trokiti në Kadastrën e Durrësit, ku një numër i madh specialistësh janë të detyruar të punojnë pranë njëri-tjetrit dhe në zyra ku është e vështirë të ruhet distancimi social. Që nga 15 tetori, në ambientet e jashtme është bërë i detyrueshëm përdorimi i maskës, ndërkohë që në ambientet e mbyllura jo pak herë punonjësit e kanë thuajse të pamundur të qëndrojnë për shumë orë me radhë me maskë.
Rritja e rasteve me Covid-19 në institucione duhet të shërbejë si këmbanë alarmi për qeverinë për të hartuar strategji që përfshijnë punën nga shtëpia. Jo të gjitha profesionet dhe pozicionet e punës e mundësojnë një gjë të tillë, por të paktën në rastet kur kjo është lehtësisht e zbatueshme le të aplikohet.
Në këtë mënyrë, mund të evitohet rritja e mëtejshme e kurbës së infektimeve dhe njëkohësisht administrata mund të jetë më eficente, pasi karantinimi i të gjithë zyrës në momentin kur një punonjës rezulton pozitiv paralizon totalisht punën për rreth 2 javë.





