Është ndarë nga jeta në moshën 59- vjeçare deputeti i Partisë Socialiste, Bashkim Fino. Fino ishte prekur nga Covid-19 prej disa ditësh dhe gjendja e tij ishte përkeqësuar.
Lajmin e hidhur e ka dhënë zv.kryeministri Erion Braçe përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku shkruan: “TANI JE NE QIELL SHOKU IM!”.
TANI JE NE QIELL SHOKU IM!
Posted by Erion Braçe on Sunday, March 28, 2021
Bashkim Fino lindi më 12 tetor 1962 në Gjirokastër. Kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, dega Financë. Në vitin 1992, Fino u zgjodh Kryetar i Bashkisë Gjirokastër, post të cilin e mbajti deri në vitin 1996.
Karriera e tij politike në Partinë Socialiste është e hershme. Prej vitit 1997 e në vazhdim ishte anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste. Kulmi i karrierës së tij do të shënohej në vitin 1997, ku do të zgjidhej kryeministër i vendit në qeverinë e Pajtimit Kombëtar, post që do ta mbante nga muaji mars deri në korrik të këtij viti.
Ai ka mbajtur disa poste ministrore. Nga viti 1997 deri në 1998 ushtroi detyrën e Ministrit të Pushtetit Lokal, njëkohësisht dhe zv.kryeministër. Në 1999 deri në vitin 2001 do të ishte ministër i pushtetit lokal. Gjatë viteve 2001-2002 ka qenë Ministër i Punëve Publike dhe Turizmit.





