Regjistrohet një tjetër humbje nga radhët e arsimit për shkak të koronavirusit.
Mësohet se pedagogia e Universitetit të Tiranës, Irena Bogdani ka humbur betejën me virusin e rëndë.
Lajmin e hidhur e ka dhënë vetë UT përmes një postimi në faqen zyrtare të Facebook, ku shkruan:
“Me hidhërim të thellë mësuam ndarjen nga jeta në mënyrë të beftë kolegia jonë e shtrenjtë, Prof. Asoc. Irena Bogdani.
Ashtu siç jetoi dhe punoi me fisnikëri, urtësi dhe thjeshtësi, ashtu edhe u nda nga kjo jetë pa përzier askënd në vuajtjen e saj. Në këto ditë të trishta për të gjithë ata që e deshën, e vlerësuan dhe mësuan prej saj, ne duam t’iu shprehim ngushëllimet me të sinqerta familjarëve, miqve, kolegëve e studentëve të profesoreshë Irenës, si dhe të kujtojmë e nderojmë jetën e saj, arritjet, punën, këmbënguljen e pafjalë dhe drejtësinë e pashoqe që e karakterizonte.
Kolegët, studentët dhe miqtë e saj do ta kujtojnë gjithmonë si profesioniste të shkëlqyer, bashkëpunëtore korrekte, model qytatarie në marrëdhëniet njerëzore.
Dritë pastë shpirti i saj!”





