Ministrja e Arsimit Besa Shahini, me anë të një statusi në “Facebook” shkruan për ndarjen nga jeta për shkak të koronavirusit të një mësuesi 55-vjeçar në Mirditë.

Shahini shprehet se ndan dhimbjen dhe respektin për kontributin e madh të mësues Kolës në fushën e mësuesisë.

Postimi i ministres Besa Shahini:

Mora lajmin e hidhur që një nga mësuesit tanë të nderuar në qytetin e Rrëshenit ka humbur sot betejën me COVID-19.

Shpreh dhimbjen dhe respektin për këtë mësues të vyer e me përvojë dhjetëra vjeçare, si për stafin e shkollave ku ai ka dhënë mësim, ashtu dhe për nxënësit që ai ka edukuar ndër vite.

Ndaj këtë dhimbje me familjarët e mësuesit Kola, me nxënësit dhe kolegët e tij.

Dua të theksoj edhe një herë nevojën që gjithsecili prej nesh të zbatojë sa më me rigorozitet të gjitha masat e nevojshme për tu mbrojtur nga ky virus i pabesë dhe i padukshëm.

Çdo jetë e juaja dhe e familjarëve tuaj është e shenjtë dhe duhet mbrojtur nga të gjithë ne si shoqëri, prandaj të respektojmë me rigorozitet të gjitha protokollet shëndetësore.

Uroj SHËRIM TË SHPEJTË edhe për arsimtarët e tjerë që janë prekur nga ky virus.