Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor në Durrës ka mbyllur 11 zyra në bashkinë e qytetit bregdetar.
Kjo, pasi 2 punonjës të sektorit të Urbanistikës në bashkinë e Durrësit kanë rezultuar pozitiv me Covid-19.
Ditën e sotme ky institucion ka mbyllur dyert për qytetarët ndërsa e vetmja zyrë që qëndron e hapur është ajo e informacionit.
“DurrësLajm” mëson se këtë të hënë është bërë dezinfektimi i zyrës së QKB-së, e cila nga dita e nesërme do të qëndrojë e hapur, ndërsa një pjesë e madhe sektorësh do jenë të mbyllura.
“Si pasojë e situatës së krijuar nga Covid 19, një pjesë e administratës së bashkisë është në karantinë. Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për mungesën e shërbimit nga disa sektorë të bashkisë gjatë kësaj periudhe të karantinës.“, njofton bashkia përmes një postimi në faqen zyrtare të Facebook.
30 punonjës, të cilët kanë qenë në kontakt me kolegët e urbanistikës janë vetëkarantinuar në banesat e tyre si masë mbrojtëse.
Nga ana tjetër, hyrje-daljet në këtë institucion po mbikqyren rreptë edhe nga forcat e policsë, ndërsa kërkohet zbatimi i protokolllit të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ditën e sotme u regjistruan 69 raste të reja me Covid-19 në vendin tonë, duke regjistruar shifrën më të lartë që nga fillimi i pandemisë.
Gjatë 24 orëve të fundit në Durrës u shtuan edhe 5 persona të tjerë të infektuar duke e çuar në 25 numrin në total.





