Europa duket se po kalon valën e dytë të COVID-19. Franca, është një nga shtetet që po shënon rritje të numrit të infeksioneve, ku raportohet se 17% e testeve të realizuara në rajonin e Ile-de-France, ku bën pjesë dhe Parisi, kanë rezultuar pozitivë. Lajmi është bërë i ditur nga drejtori i agjencisë rajonale të shëndetit Ars, Aurélien Rousseau.

Referuar situatës, Presidenti Emmanuel Macron njofton se do t’i drejtohet kombit Francez të mërkurën, ndërsa Kryeministri Jean Castex i ka kërkuar popullatës që të mos dorëzohet në luftën kundër koronavirusit. “Ne nuk mund të dorëzohemi”, – ka thënë tha ai duke njoftuar një version të ri të aplikacionit StopCovid, ekuivalenti francez i aplikacionit italian Immuni. “Francezët konsideruan shumë herët që ky virus ishte zhdukur. Realiteti është se vala e dytë është këtu mes nesh”, paralajmëroi kryeministri francez.

Gjatë fundjavës u shënuan 16,101 raste me COVID-19 në Francë, një numër i lartë për një të diel, ditë në të cilën fluksi i të dhënave zakonisht është më i ngadaltë dhe për këtë arsye numrat janë më të vogla. Numri i vdekjeve është në total 32 mijë e 730. Aktualisht 12 rajone janë në gjendje maksimale alarmi, ndërsa qeveria paralajmëron shpalljen e gjendjes së emergjencës nëse situata përkeqësohet.

Autoritetet shëndetësore franceze kanë përfshirë Montpellier (në jug) dhe Toulouse (në jug-lindje) midis zonave me gatishmëri të lartë, të cilat tashmë përfshijnë Parisin, Marsejën, Aix-en-Provence, Grenoble, Lille, Lyon, Saint-Etienne dhe ishullin Guadalupe.