Prefekti i Qarkut Durrës, Z.Roland Nasto ka zhvilluar ditën e sotme një takim me sektorin e Shëndetësisë.
Të pranishëm në takim ishin përfaqësues nga Spitali Rajonal Durrës dhe nga ISHSH Durrës, si dhe drejtoresha e NJVKSH Durrës Znj. Aurora Hyka dhe drejtoresha e FSDKSH Znj. Natasha Paço.
Qëllimi i takimit, bën me dije Prefektura Durrës, ishte raportimi nga drejtuesit mbi marrjen e masave paraprake në zbatim të akteve normative mbi respektimin e protokolleve të sigurisë ndaj Covid-19.
Prefekti në fjalën e tij theksoi marrjen e masave dhe shtimin e kontrolleve, monitorimin e shkollave, supermarketeve, fasonerive, të cilët nuk respektojnë masat e duhura.
Një kujdes të vecantë duhet të ketë kujdesi shëndetësor, spitalet dhe urgjenca të cilat duhet të jenë në gatishmëri për të dhënë ndihmën e duhur për personat e sëmurë me Covid-10.
Nga të dhënat e deri tanishme rezulton se ka një ngritje të numrit të infektuarve, ku janë dyshuar dhe testuar 779 persona dhe kanë rezultuar 260 raste pozitive me Covid-19.
Nga ky total, kanë rezultuar “Covid pozitiv” 14 nxënës, 9 mësues dhe 1 edukatore, të shpërndarë këto në shkolla të ndryshme.
Një çështje tjetër kryesore është vaksinimi, ku totali i dozave të aplikuara ka kapur shifrën e 152 025 injeksione. Vaksinimi është një proces që vazhdon dhe është realizuar në 60%, ku konkretisht deri tani janë vaksinuar rreth 12 mijë persona në qytetin e Durrësit.
Nga ana e Prefektit u kërkua bashkëpunim midis institucioneve për rritjen e efektivitetit të punës, menaxhim i situatës në nivelin e duhur, me qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve për zbatimin e rregullave dhe protokolleve të shëndetësisë.
Një tjetër problematikë që u diskutua ishte mbajtja pastër e ambjentit, ku Bashkia po vazhdon aksionin për pastrimin e mjedisit.
Institucioni i Prefektit do të qëndrojë në kontakt të vazhdueshëm për të monitoruar dhe njëkohësisht mbështetur në lidhje me çdo problematikë.





