Covid-19 ndikon edhe në shëndetin mendor. Ky është një konstatim që tashmë është pranuar gjerësisht nga mjekët, sidomos psikiatrit dhe psikologët, që gjatë muajve të pandemisë kanë konstatuar rritje të rasteve të personave që vuajnë nga stresi, ankthi, depresioni, pagjumësia apo simptoma edhe më të rënda.
Sipas mjekëve specialistë, këto simptoma theksohen më shumë tek personat që edhe para shfaqjes së pandemisë apo para prekjes nga koronavirusi ishin konstatuar me diagnoza mendore para ekzistuese. Mjeku psikiatër Gazmend Rrahmani, që çdo ditë përballet me pacientët pranon se periudha e karantinës dhe frika nga pandemia, sidomos periudhat e para kur shumë pak dihej për virusin, kanë ndikuar negativisht tek shumë prej tyre. Ai tregon faktin tronditës se disa qytetarë kanë tentuar edhe vetëflijimin, kur kanë marrë vesh lajmin se janë prekur nga Covid-19.
“Kemi pasur raste kur pacientë të ndryshëm në Durrës, pasi kanë marrë vesh se tamponi ka rezultuar pozitiv, kanë tentuar aktet ekstreme. Kemi pasur edhe mosha të reja, mbi 35 vjeç apo 50 vjeç. Disa prej tyre nuk vuanin më parë nga probleme të shëndetit mendor, ndërsa të tjerë që kanë qenë në gjendje të stabilizuar, kanë pasur përkeqësim të parametrave gjatë këtyre muajve”, – thotë mjeku Rrahmani.
Masat shtrënguese dhe protokollet e hartuara për të parandaluar përhapjen e Covid-19 bëjnë të mundur ruajtjen e distancimit social dhe kolapsin e sistemit shëndetësor, por nga ana tjetër, kufizimet apo mbyllja përjetohen keq nga shumë qytetarë. Në këtë periudhë kur numrat e të prekurve dhe viktimave janë në rritje si në vendin tonë ashtu edhe në Evropë e më gjerë, edhe perceptimi i shumicës së njerëzve është negativ. Për psikiatrin Rrahmani, për të evituar problematika të shëndetit mendor, rritjen e gjendjes së ankthit apo depresionit, secili prej nesh duhet të mos përfshihet nga paniku.
“Qytetarët duhet të ndihen të qetë. Tani mjekësia ka më tepër njohuri për Covid-19 dhe shumë raste të rënda që në fillimet e sëmundjes përfundonin në fatalitete, muajt e fundit kurohen më me lehtësi. Nga ana tjetër media duhet të tregohet e kujdesshme, pasi shpesh i kushtohet shumë më tepër vëmendje rasteve ekstreme, jepen shumë detaje, gjë që mund të ndikojë negativisht tek persona të tjerë me prirje të tilla. Në të njëjtën kohë, qytetarët duhet të ruajnë kontaktet dhe ndërveprimin me njëri – tjetrin, të bëjnë jetë të shëndetshme dhe aktivitet fizik, të bëjnë gjumë të mirë dhe t’u qëndrojnë larg konsumimit të lëndëve narkotike apo alkoolit. Në të kundërt bie imuniteti dhe jemi më të ekspozuar ndaj koronavirusit”,– thotë psikiatri.
Për mjekun Rrahmani është mjaft e rëndësishme që qytetarët të mos përfshihen nga frika apo paniku, pasi faktorët e brendshëm psikologjikë mund të ndikojnë negativisht në avancimin e sëmundjes tek personat që rezultojnë të prekur.
“Zgjatja e simptomave të koronavirusit ndikon negativisht. Shpesh duhet që pacientë të tillë të vazhdojnë të trajtohen dhe ndihmohen për t’u rehabilituar edhe pasi e kalojnë sëmundjen. Deri në 90 ditë pasi e kanë kaluar sëmundjen mund të vuajnë pasojat. Është e domosdoshme ndjekja e tyre nga mjekët, në mënyrë që sëmundja të mos lërë pasoja afatgjata që mund të ndikojnë në shëndetin e pacientit dhe jetesën e tij pasi të negativizohet”,- bën të ditur mjeku.
Për psikiatrin Rrahmani, mungesa e oksigjenimit në tru, që konstatohet tek pacientët në gjendje më të rëndë ndikon në shëndetin mendor, ashtu si edhe medikamente të caktuara.
“Nuk mund të shprehemi ende me siguri të plotë lidhur me ndikimin që mund të japin ilaçet që përdoren për kurimin e sëmundjes, por të mos harrojmë që çdo ilaç jep efekte anësore. Nga ana tjetër, sipas një studimi 1 në 5 persona të prekur nga Covid-19 deri në 90 ditë pas sëmundjes mund të shfaqin probleme të shëndetit mendor. Risku është mjaft i lartë, prandaj duhet të tregohemi të kujdesshëm. Mungesa e oksigjenit të tru i shkakton pacientëve shtim të ankthit, por edhe mund t’i shtyjë drejt vendimeve suicidale” – thotë mjeku.
M.B.





