Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë Italiane, gjatë 24 orëve të fundit në vend janë regjistruar 16 viktima nga koronavirusi.

Totali i vdekjeve që nga fillimi i emergjencës shëndetësore është rritur në 36 002.

Gjithashtu autoritetet e shëndetësisë raportuan se sot u regjistruan edhe 2257 raste të reja pozitive, për një total prej 327.586 të prekurish nga Covid-19 prej fillimit të pandemisë

Numri i pacientëve të shëruar në total është 232 681.

Në rajonin e Lombardisë gjatë 24 orëve të fundit u raportua për 2 viktima dhe 251 raste të reja pozitive.

Italia pritet t’i nënshtrohet masave të reja që qeveria italiane përmes një dekreti të ri, i cili do të shkojë të martën në parlament për të marrë dritën jeshile, synon të frenojë përhapjen në shkallë të gjerë të infeksionit të Covid.

Në dekret parashikohet detyrimi që në të gjithë vendin të bëhet e detyrueshme mbajtja e maskës edhe në rrugë, megjithatë kjo do të varet nga qëndrimi që do të mbajnë për këtë detyrim qeveritë rajonale.

Festat dhe dasmat do të kenë numër të kufizuar. Ndër rregullat e propozuara në dekretin e ri është edhe vendosja e një kuote për numrin e pjësëmarrësve në festa dhe tubime, maksimumi 200 persona.

Qeveria Conte gjithashtu parashikon të vendosë si masë edhe mbylljen e bareve dhe restoranteve, më saktë reduktimin e orarit të tyre të shërbimit deri në orën 23:00, maksimumi deri në mesnatë.