Drejtori i spitalit të Përmetit, mjeku pneumolog Rustem Keko, ka humbur betejën me koronavirusin mesditën e kësaj të enjte.
Mësohet se Keko kishte 4 ditë i shtruar në spitalin Infektiv në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ai nuk mundi ta mposhte virusin vdekjeprurës, duke mbyllur sytë ditën e sotme. Keko shërbeu prej 50 vitesh në spitalin e Përmetit.
Ky është rasti i dytë i një mjeku që ka humbur jetën për ditën e sotme. Këtë mëngjes si pasojë e virusit ka ndërruar jetë një nga neuropsikiatrët më të njohur shqiptar, prof. dr. Hiqmet Shqerra.
Shqerra ishte i shtruar në spitalin COVID-3, i prekur prej ditësh nga virusi, mirëpo nuk mundi të fitonte betejën duke u ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare.
Për 20 vite ai drejtoi spitalin psikiatrik të Elbasanit ku u shqua për aftësitë e veçanta profesionale dhe komunikimin me pacientët. Doktor Shqerra lindi në Elbasan në një familje autoktone dhe me tradita.
Ai studioi në Fakultetin e Mjeksisë dhe u specializua në Degën e Psikiatrisë me rezultate të larta dhe më pas mori titujt akademikë. Shqerra dha një kontribut shumë të rëndësishëm në trajtimin dhe kurimin e qindra pacientëve shqiptarë me probleme të shëndetit mendor.





