Covid-19 mund te jetë shkak i dëmeve të mundshme në tru. Ky është rezultati i një studimi të universitetit amerikan Tulane të kryer mbi primatët, i publikuar në revistën shkencore Nature Communication.

Ky konkluzion mund të ndihmojë për të kuptuar origjinën e simptomave neurologjike si dhimbje koke apo gjendje konfuzionale, të cilat janë vërejtur tek pacientë që kanë të ashtuquajturin ‘Long Covid’.

Studimi ka nisur në pranverën e 2020-s për të kuptuar pasojat e virusit Sars Cov 2 mbi indet cerebrale të kafshëve të infektuara. Janë vënë re inflamacione dhe lëndime cerebrale, neurone të dëmtuar ose të vdekur, të shoqëruara me një ulje të fluksit të gjakut dhe oksigjenit në tru. Gjithashtu në disa raste janë evidentuar edhe hemoragji të vogla.

Ajo që vlen për t’u theksuar është fakti se asnjë nga kafshët e sëmura, gjatë Covid, nuk kishin manifestuar simptoma të rënda, por nga ana tjetër dëmet në tru ishin domethënëse, gjë që sipas ekspertëve është shqetësuese dhe kambanë alarmi.