Ambientalisti Sazan Guri dhe përfaqësues të shoqërisë civile denoncuan zyrtarisht pranë Gjykatës Administrative dhe prokurorisë së rrethit Durrës masakrën mjedisore që po ndodh në bregdetin Adriatik.
Bëhet fjalë për betonizimin e bregdetit në sektorin “Apolonia”, ku dhjetëra biznese, me qëllim për të frenuar erozionin, kanë betonizuar bregdetin në mënyrë të paligjshme. Edhe pse janë vënë në dijeni nëpërmjet mediave dhe denoncimeve të shumta të qytetarëve, institucionet përgjegjëse dhe agjencitë ligjzbatuese nuk kanë marrë asnjë masë për këtë masakër mjedisore që po bëhet përgjatë vijës bregdetare. Teksa denoncoi publikisht në vendin e ‘krimit mjedisor’ këtë papërgjegjshmëri të bizneseve, Guri tha se shkaktarët kryesorë të kësaj masakre mjedisore janë vetë pushtetarët, të cilët e kanë lejuar situatën të precipitojë në këtë gjendje.
Pasi denoncoi publikisht këtë masakër mjedisore, ambientalisti Guri i shoqëruar nga përfaqësues të shoqërisë civile, iu drejtua Gjykatës Administrative dhe prokurorisë së rrethit Durrës për ta denoncuar ligjërisht.
Prej më shumë se dy muajsh, bizneset që shtrihen në vijën e parë të bregdetit kanë vendosur prita me blloqe betoni me qëllim për të parandaluar erozionin, i cili po përparon me ritme shumë të shpejta duke gllabëruar tokën. Pasi vendosën pritat me blloqe betoni, bizneset tashmë po e betonizojnë bregdetin, me qëllim për të përfituarë hapësira në brezin e rërës.





