DURRËS, 30 nëntor 2014 –  Edhe pse Alex Del Piero është zgjedhur si 'ambasador' i turneut tre mujor të futbollit në Indi dhe pse është lojtari më i dashur nga tifozët atje, ai nuk po gjen hapësira në ekipin Delhi Dynamos. 

Në një stadium të mbushur me dëshirën për të parë ish-yllin e Juventusit dhe të kombëtares Italiane, Delhi Dynamos luajti ditën e premte ndeshjen e radhës ndaj një kundërshtari të fortë në Indi, por trajneri belg Harm Van Veldhoven  nuk e thërriti as në tribunë Del Pieron. Arsyet e mos aktivizimit të ish-juventinit janë të paqarta, duke parë edhe deklaratat e fundit të trajnerit, i cili ishte shprehur se do ta aktivizonte atë në 4 ndeshjet e fundit të turneut. Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, ku Delhi Dynamos fitoi 4-1, tifozët vendas nisën menjëherë të reagojnë me ofendime ndaj klubit dhe veçanërisht ndaj trajnerit, për mos aktivizimin e italianit.