De Biazi e ka mbajtur frymën në rezidencën kuqezi, pasi ka mbërritur në Aeroportin e Rinasit, i kthyer nga Palermo. Aty ka zhvilluar konferencë për shtyp, ku është gjendur para “breshërisë” së pyetjeve të gazetarëve, sidomos mbi situatën e Taulant Xhakës dhe Amir Abrashit, të cilët nuk kanë preferuar të rikthehen për miqësoren me Bosnje Hercegovinën.
Në këtë pikë, trajneri kuqezi ka nënvizuar: “Nuk ka asnjë lloj refuzimi nga këta dy lojtarë, që sa të jem unë trajner i Shqipërisë, nuk do të vijnë më në kombëtare. Xhaka është larguar sepse ka disa probleme të tijat, ndërsa Abrashi ka probleme fizike me gjurin. Kjo e kushtëzoi të ishte gati për këtë kualifikuese. A do të refuzojnë në të ardhmen? Kjo është diçka që do t’i përgjigjemi në një moment tjetër.Aktualisht nuk ka asnjë hamendësim, asnjë të vërtetë të tillë. Kur u dëmtua Abrashi? Ai ka arritur i dëmtuar në grumbullim. Në ndeshjen që ka patur para grumbullimit me klubin e tij është aktivizuar në minutën e 37-të. Aty ka pësuar një përplasje me lojtarin kundërshtar, ka pësuar një dëmtim. Jemi munduar me mjetet e lejueshme mjekësore dhe fizioterapi për ta riaftësuar, ia kemi kursyer edhe dy seancat e para stërvitore, por nuk u bë dot gati. Kemi provuar edhe në stërvitjen para ndeshjes në “Renzo Barbera”, por ai ka thënë nuk mundem më, nuk e përballoj dot. Pavarësisht këtij fakti, erdhe nëse Abrashi do të ishte i gatshëm, unë nuk e kisha në planet e mia për formacionin. Kjo edhe për vetë faktin se si po ecën në klubin e tij.Mos harroni se ka edhe lojtarë të tjerë, që kanë një performancë më të mirë. Në konferencën e parë për shtyp, që kur kam mbërritur e marrë këtë detyrë, kam thënë saktësisht, madje e kam përsëritur disa herë, se dera e kombëtares është e hapur për të gjithë. Fakt është se, në lidhje me Xhakën, vetë futbollisti duhet ta tregojë në fushë, para meje dhe skuadrës, se e meriton të luajë, është i aftë për ta grumbulluar. Ne kemi nevojë më shumë për njerëz dhe për lojtarë, për ta shtyrë këtë punë përpara. Nëse dikush mendon se është i pazëvendësueshëm dhe i paprekshëm, mund të bëjmë edhe pa të".